Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë me dije se kur do të hapet segmenti i parë i Bulevardit të Ri të kryeqytetit.
Gjatë inspektimit të fazës së fundit të punimeve që po kryhen në këtë segment, duke përfshirë edhe parkingun nëntokësor te ish Stacioni i Trenit, ai u shpreh se segmenti i parë i Bulevardit të Ri të Tiranës do të hapet në maj, si për kalimtarët, ashtu edhe për makinat.
“Kemi ecur shumë me punimet në Bulevardin e Ri, duhen edhe pak javë derisa të hapet parkingu i madh nëntokësor. Duke filluar nga maji, do të hapim për përdorimrreth 400-500 metrat e para të Bulevardit, për të siguruar edhe hyrjen në parkim për ata që kanë punë në zonën e ish Stacionit të Trenit”, tha Veliaj.
Ai bëri me dije se janë marrë edhe disa vendime të rëndësishme për ndriçimin, për gjelbërimin në të dy krahët e segmentit, duke theksuar se “Bulevardi i Ri do jetë një hapësirë që respekton ata që duan të ecin me makina, si dhe kalimtarët apo edhe ata që duan të pushojnë në gjelbërimin që e rrethon”.
(XH.A/SHUPLAKA)