Kryeministri Edi Rama rreth katër ditë më parë, bëri një transmetim të drejtpërdrejt në Facebook siç bën zakonisht, mirëpo atë e quajti raportim nga televizioni i tij “ER TV”.
Sot ai ka transmetuar sërish nga “ER TV”, kësaj radhe nga ambientet e urgjencës së sanatoriumit.
“ERTV Live. Në urgjencën e Sanatoriumit, ku nje ekip i perkushtuar nën drejtimin e një mjeku vizionar, e kanë rilindur këtë spital duke e kthyer në një shembull të shërbimit publik”, shkruan Rama krahas videos.
Në videon e radhës shihet që kryeministri Rama ka punuar që “televizioni” i tij të bëhet më serioz, pasi ka zgjedhur edhe logon, për të cilën ka përdorur një kombinim të ngjyrës së kuqe me të zezë.
Në transmetimin e pak ditëve më parë nga një takim me pensionistët në Tiranë, Rama dukej sikur po përpiqej të konkuronte disa nga emisionet më të ndjekura në Shqipëri, “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili, “Opinion” të Blendi Fevziut, si edhe “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit. Kjo sepse vetë Rama ka ironizuar duke shkruar “Studio e Hapur opinionesh të ekspozuara”. (D.D/Shuplaka)