Në daljen më të fundit publike përpara hyrjes në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, dha disa shpjegime të forta lidhur me situatën politike në vend.
I pyetur fillimisht për qëndrimin e Kryemadhit për pozicionin e LSI-së në zgjedhjet e ardhshme ku tha se kjo parti do marrë 40 deputetë, ai u shpreh se nuk kanë rëndësi numrat por standardi, e për qëndrimin e saj personal duhet të pyetet vetë Monika Kryemadhi:
“Nuk është ky problemi themelor i angazhimit politik, nuk ka rëndësi numrat, ai është qëndrim i Znj.Kryemadhi, mund ta pyesni se do vijë në Kuvend. Problem prioritar është çështja e zgjedhjeve.”
Sipas Luan Ramës, reforma zgjedhore ka dështuar ndaj dhe nuk ka më arsye të komentohet.
“I kemi bërë të gjitha propozimet tona për reformën zgjedhore. Fatkeqësisht, rezulton i dështuar, ndaj nuk ka arsye të komentohet më. Në një moment të dytë mund të flasim më gjerësisht, iu vë patjetër në dispozicion dokumentin zyrtar.”, u shpreh ai.
Disa muaj më parë, LSI propozoi disa ndryshime në reformën zgjedhore, ndër të cilat listat e hapura dhe dënimi i blerjes së votës.
(XH.A/SHUPLAKA)