Policia e Vlorës ka arrestuar një person në kërkim, i arratisur prej 5 vitesh nga burgu i Kavajës dhe i akuzuar për një sërë veprash penale, si vrasje, plagosje, pengmarrje, armëmbajtje pa leje etj.
Ditën e sotme është bërë e mundur kapja dhe arrestimi e 30-vjeçarit Klejvis Gjatari, në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë.
Personi në fjalë konsiderohej nga policia me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa është autor i ngjarjeve të mëposhtme:
– Në shtator të vitit 2012, është shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në Kavajë, për të cilën është dënuar me 4 vite e 10 muaj burg. (Vend në të cilin vuante dënimin për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”).
– Në maj të vitit 2016, është autor i ngjarjes së ndodhur në “Plazhin e Ri”, ku në bashkëpunim me shtetasit D.Rrapaj dhe A.Gjatari, kanë marrë me forcë në mjetin e tyre shtetasin Y.K., duke e kanosur atë me armë zjarri.
(Ngjarje për të cilën i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”).
– Në tetor të vitit 2016, është autorë i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Pavarësia”, ku për motive të dobëta, në një lokal ka plagosur me armë zjarri shtetasin F.M. (“Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje”).
– Në Tetor të vitit 2016, është autorë i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Ujë i ftohtë”, ku në bashkëpunim me shtetasin O.Shehu, i kanë vjedhur me dhunë shtetasit F.M., automjetin tip “Audi”, dhe kanë tentuar ta vrasin me armë zjarri këtë të fundit.
(Ngjarje për të cilën i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”).
– Në dhjetor të vitit 2016, është autorë i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku në bashkëpunim me persona të tjerë, i ka marrë me dhunë në rrugë shtetasit V.F., automjetin tip “Benz” në pronësi të këtij të fundit. (“Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”).
Po ashtu ky shtetas figuron person me precedent kriminal dhe penal në shtetin italian, për veprën penale të “Vrasjes”.
Nga hetimet e kryera, për shkak të probleme me drejtësinë shqiptare dhe të huaj, ky shtetas ka përdorur disa emra si: Erion GJATARI, Eri GJATA, Erion SUAL. (M.D/ Shuplaka)