Publikohet video nga momenti i arrestimit të të shumëkërkuarit nga Vlora, Klejvis Gjatasi, i cili prej pesë vitesh ishte i arratisur nga burgu i Kavajës.
Në videon e publikuar nga Policia e Shtetit, Gjatasi shihet i rrethuar nga një grup policësh. 30-vjeçari u arrestua sot, në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia ka arrestuar një person në kërkim, i cili është autorë i një sërë veprash penale !
Arrestohet shtetasi:
- GJ., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Policia e Vlorës, ditën e sotme ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e këtij personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë.
Ky shtetas është autor i ngjarjeve të listuara si më poshtë:
– Në Shtator të vitit 2012, është shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në Kavajë, për të cilën është dënuar me 4 vite e 10 muaj burg.
(Vend në të cilin vuante dënimin për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”).
– Në Maj të vitit 2016, është autor i ngjarjes së ndodhur në “Plazhin e Ri”, ku në bashkëpunim me shtetasit D.Rrapaj dhe A.Gjatari, kanë marrë me forcë në mjetin e tyre shtetasin Y.K., duke e kanosur atë me armë zjarri.
(Ngjarje për të cilën i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Armëmbajtje pa leje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”).
– Në Tetor të vitit 2016, është autor i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Pavarësia”, ku për motive të dobëta, në një lokal ka plagosur me armë zjarri shtetasin F.M.
(“Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje”).
– Në Tetor të vitit 2016, është autor i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Ujë i ftohtë”, ku në bashkëpunim me shtetasin O.Shehu, i kanë vjedhur me dhunë shtetasit F.M., automjetin tip Audi, dhe kanë tentuar ta vrasin me armë zjarri këtë të fundit.
(Ngjarje për të cilën i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajte pa leje”, “Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”).
– Në Dhjetor të vitit 2016, është autor i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku në bashkëpunim me persona të tjerë, i ka marrë me dhunë në rrugë shtetasit V.F., automjetin tip Benz në pronësi të këtij të fundit.
(“Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”).
Gjithashtu, ky shtetas figuron person me precedent kriminal dhe penal në shtetin Italian, për veprën penale të “Vrasjes”.
Nga hetimet e kryera, për shkak të probleme me drejtësinë shqiptare dhe të huaj, ky shtetas ka përdorur disa gjeneralitete të tjera si: E. GJ., E.GJ., E.S.
Dyshohet se ky shtetas gjatë kohës që ka qenë në kërkim është përfshirë në vepra të tjera të rënda kriminale, për të cilat Policia e Vlorës po punon intensivisht për dokumentimin e plotë ligjor të tyre. (D.D/Shuplaka)