Një nga banorët rezidentë të kësaj qendre, Hysen Sinanaj, denoncoi faktin se nuk gëzon pension të plotë dhe pse plotëson të gjitha kushtet për ta pasur një të tillë.
Sinanaj numëron 36 vjet punë në minierë, sharrë, ndërtim, mermer në disa qytete të Shqipërisë, por problemi qëndron tek fakti se ai pretendon se dokumentacioni është djegur gjatë trazirave të ’97.
Aktualisht ai trajtohet me 60 mijë lekë të vjetra, pension social.
Hysen Sinanaj: I jam drejtuar emisionit BOOM se kam punuar 36 vjet dhe nuk kam pension. I jam drejtuar Drejtorit dhe nuk më ka kthyer përgjigje fare. Kam punuar në ndërmarrjen e sharrave të Pukës, në ndërtim të Mirditës, në minierë të Bulqizës, në të gjitha vendet kam punuar edhe në Sarandë, me mermerin e Sarandës.I kam pasur të shënuara në librezë dhe më ka humbur libreza. Për këtë problem i jam drejtuar vetëm Drejtorit të Shtëpisë së të Moshuarve këtu në Kavajë, askujt tjetër. I ka marrë vitet e punës dhe i ka çuar tek Sigurimet Shoqërore këtu dhe më ka thënë do të interesohem. Kjo punë para 3-4 muajsh. Ju lutem po patët mundësi më ndihmoni (shpërthen në lot).
Gazetarja: Këto lekët nëse i merrni për çfarë do ti shpenzoni?
Hysen Sinanaj: Na duhen të blejmë ndonjë gjë, duhan, ndonjë kafe. Aktualisht marr 60 mijë lekë përkrahje sociale. Këto 60 mijë lekë duhan nuk dalin, jo ujin e blejmë se nuk pihet këtu. Është ujë pusi. Unë tani nuk paguaj asnjë lekë se më ka sjellë shteti, por jam i detyruar të paguaj nëse do marr pension. Edhe këta të shpisë e kanë problem atë punë sepse unë nuk paguaj. Ju lutem shumë ta merrni në dorë këtë punë, të interesoheni që të më ndihmoni. Edhe unë dua të gëzoj të drejtën time si gjithë të tjerët.
Denis Haveriku, Drejtor i Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë: Unë si drejtues i kësaj qendre kam takuar dhe biseduar vetë me banorin e qendrës Hysen Sinanaj, i cili më ka shprehur këtë problem, që duhet të kishte dalë në pension prej vitesh por aktualisht nuk merr aspak pension. E pyeta cili ishte problemi dhe më thotë kur jam interesuar gjatë kohës që qëndronte në Sarandë, se aty ka pasur banimin e fundit, më thotë që nuk gjenden vitet e punës. Sipas tij dokumentacioni që gjendej në minierëm ku punonte, gjatë trazirave të ’97 mendon se janë djegur. Unë si drejtues i kërkova të më bëjë një listë ku ka punuar dhe vendet e punës të ndryshme ku ka punuar, listë të cilën ma bëri. I ka të gjitha vitet e plota për një pension të plotë.Mora listën dhe shkova tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore dega Kavajë, më thanë që do interesohen dhe për këtë arsye kanë bërë dhe një shkresë në Drejtorinë Qëndrore. Aktualisht akoma nuk ka një përgjigje. E dyta më thanë që për këtë person duhet të merret dhe një vërtetim për vitet e ushtrisë. Kam aplikuar tek Posta Shqiptare, ai është një person i cili ka punuar gjithë jetën dhe nuk pranon, ai e quan si lëmoshë këtë pension social që ja jep shteti. Ai thotë unë kam punuar të gjithë jetën, meritoj pension të plotë pleqërie. Kërkoj të marr atë që më takon thotë, nuk dua ti bëhem barrë institucionit se kjo lloj shumë barrë është për institucionin. Mund të përdorej për të tjera gjëra por jemi të detyruar t’ia japim atij.
Në lidhje me problemin e zotit Hysen Sinanaj emisioni BOOM i është drejtuar dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ka disa javë që ky Institut po punon për gjetjen e viteve të punës por duhet pasur parasysh fakti se ato janë të shpërndara në qytete të ndryshme.
Paralelisht është kërkuar që nga Drejtoria e Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë apo dhe nga vetë zoti Sinanaj të bëhet një aplikim, të hapet procedura në mënyrë ligjore për përfitimin e pensionit të pleqërisë.
/Oranews.tv/