Një ditë përpara 1 Prillit, datë e shumëpërfolur për koalicionin qeveritar, kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka vijuar me mesazhe të forta politike.
Në takimin me banorët e Vaut të Dejës, ai u shpreh se LSI është forcë politike e dialogut dhe transparencës, një forcë politike që i ka sytë tek e vërteta dhe zemrën tek qytetarët.
“LSI forcë politike e dialogut dhe transparences, që nuk ia luan syrin as PD-së dhe as PS-së. LSI i ka sytë tek e vërteta dhe zemrën tek qytetarët. Zgjedhje sipas standardeve për Shqipërinë, jo zgjedhje për partinë.”, mësohet të ketë thënë Rama.
Sa për propozimet e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ai i vlerësoi si “përpjekje për kontribut pozitiv”: “Mbështesim thelbin racional të propozimeve të tij.”
Një ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cilësoi si goditje tendencioze sulmet e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj qeverisë. Ai iu kundërvu LSI-së pas deklaratës se kjo e fundit nuk merr pjesë në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kavajë.
(XH.A/SHUPLAKA)