Duhet thënë se Klement Balili është një nga njerëzit më të mediatizuar kohët e fundit. I shpallur në kërkim prej kohësh për shkak të dyshimeve se është pjesë e trafikut të drogës drejt Greqisë ende nuk ka një të dhënë për vendodhjen e tij.
Ndërkohë që sipas ‘’Panoramës’’ Prokuroria pretendon se ka disa përgjime që implikojnë Balilin në trafik.
Përgjimet janë bërë nga ditët e fundit të prillit 2016 e në vazhdim deri në maj të vitit që kaloi, kur Balili ishte ende drejtor Transporti në Sarandë. Në një nga bisedat që prokuroria e ka cituar në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë në mungesë ndaj Klement Balilit thuhet se ai ka folur me transportuesit e drogës drejt Greqisë.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, Balili ishte personi që merrte masat për organizmin e transportit të drogës dhe për sigurinë e tyre. Më konkretisht, në bisedën me shtetasin Petro Dalanaj, Balili duket se e porosit atë që të ecë me makinë në rrugën ku ndodhej një nga ngarkesat me drogë dhe të qëndrojë pas automjetit me lëndë narkotike, duke vazhduar çfarë po ndodh.
Petro Dalanaj, sipas policisë greke, është një biznesmen shqiptar që merret me peshkim dhe që akuzohet se ka bashkëpunuar me Klement Balilin për trafikimin e sasive të mëdha të drogës nga Saranda në Greqi, dhe më pas nëpërmjet personave të tjerë doga transportohej në Austri, Belgjikë, Greqi, Holandë, Spanjë, Angli, e disa vende të tjera. Biznesmeni Klement Balili është përgjuar për herë të fundit më 8 maj dhe më pas ai e ka mbyllur numrin e tij të telefonit.
Sipas të dhënave, përgjimet e Balilit janë bërë të mundura gjithnjë pas orës 23:00 të mbrëmjes, pasi ajo ishte koha kur ai fliste me anëtarët e grupit të tij.
Në një nga rastet e përgjuara del se bllokimi i rrugës nga fermerët grekë që protestonin për vendimet e qeverisë helene ishte bërë pengesë për një ngarkesë të lëndës narkotike që trafikohej nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Më konkretisht, Balili flet për faktin se ngarkesa me drogë nuk mund të nisej pas interesimit të dy personave që dyshohet se janë pritës në Greqi dhe që mendohet se janë biznesmenë.
Referuar përgjimeve dhe hetimeve të palës greke, grupi i Klement Balilit dhe disa biznesmenëve në Greqi ka qenë në hetim që nga janari i vitit 2014 dhe në vazhdim deri në prill 2016.
Në këtë kohë, në Greqi janë arrestuar 16 të dyshuar në Greqi, tre të dyshuar në Belgjikë, një person në Itali, një në Bullgari, ndërsa u shpall në kërkim Klement Balili në Shqipëri, pasi arrestimi i tij nuk u bë i mundur.
HETIMET
Biznesmeni që mbante postin e drejtorit të Shërbimit të Transportit në Sarandë deri një vit më parë po hetohet në dy drejtime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në njërën anë, prokuroria po vlerëson provat e ardhura me letërporosinë e parë nga Greqia në lidhje me akuzat për trafikim droge. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhrin e ekzekutimin e vendimit penal nr.426, datë 09.12.2016, për caktim mase sigurimi “arrest me burg” për shtetasin Klement Balili, i dyshuar për kryerje të veprave penale “trafik i narkotikëve”, “krijim i grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, kanë bërë me dije burimet zyrtare.
Në lidhje me këto akuza, palës greke i është kërkuar informacion e prova shtesë në lidhje me Balilin dhe grupin e tij për tetë episode e trafikimit të drogës, pasi dosja e ardhur përmban të dhëna vetëm për dy raste.
Nga ana tjetër, po hetohen pasuritë e Klement Balilit, ku të dhënat janë të vakëta.
Deri tani në emër të personit të kërkuar ka rezultuar vetëm një objekt banimi në fshatin Sjar të Delvinës dhe një llogari rrjedhëse në bankë, ku i dyshuari tërhiqte pagën si drejtor i Transportit në Sarandë deri një vit më parë.
Për këtë arsye, prokuroria ka zgjeruar hetimin për rrethin e dytë e të tretë të familjarëve të Klement Balilit (rreth 40 veta) me dyshimin se pasuri të mundshme janë transferuar tek ata.