Rama bëri një analogji me grevën e PS-së për zgjedhjet e 2009.
Sipas tij, PS-ja në atë kohë kërkoi vetëm hetim të zgjedhjeve dhe jo qeveri teknike dhe se zgjedhjet e 2010-s nuk u bojkotuan edhe pse u vodhën sipas tij me Ristanin.
“Shqiptarët duan shtet dhe jo kaos. Kjo politika juaj kërkon të bëjë rrëmujë në Shqipëri. Ne bëmë grevë në vitin 2009 se ju na mohuat që të hetonim ato zgjedhje që i vodhët. Dhe prapë së prapë ne hymë në zgjedhjet e 2010-s edhe pse i vodhët edhe ato”, -tha Rama.
Ai madje shtoi se PD-ja nëse do të kryejë vetvrasje me Nard Ndokën dhe Vangjel Dulen, është e lirë ta bëjë se ka kush bën opozitë për ta, siç u shpreh Rama.
“Kjo është hedh një budalla një gur në lumë. A ka marrë vallë kjo qeveri ndonjë masë që e pengon opozitën? Jo, ajo ka folur më shumë se kurrë në historinw e parlamentit, 3 fishin e kohës së kryeministrit. A ka marrë kjo mazhorancë ndonjë nismë të njëanshme? As rekomandimet e OSBE nuk janë miratur se ne presim opozitën. A ka ndodhur ndonjëherë që qeveria i thotë opozitës hajde. Atëherë për të gjithë ata lind një pyetje: Kur opozita nuk do zgjedhje, a është demokratike që zgjedhjet të mos bëhen? Në cilën vend janë shtrur pyetje kaq qesharake?”,- shtoi Rama.
Rama tha se opozita nuk është monopol i një partie, ndaj sipas tij PD duhet të heqë dorë nga protesta në çadër.
Ai tha se “Misioni i demokracisë nuk është të shpëtojë një parti nga vetëshkatërrimi”.
Demokracia nuk është përdhunim i shumicës nga pakica, prandaj ka pluralizëm. Opozita nuk është monopol i një partie sado e madhe apo e vogël është ajo. E mbasë kjo derexhe e vajtueshme e PD e katandisur nga një alternativë në një çadër klithmash në mes të bulevardit është fundi i historisë së asaj partie, por këtë nuk e dimë. Misioni i demokracisë nuk është të shpëtojë një parti nga vetëshkatërrimi. Edhe misioni i demokracisë shqiptare është të garantojë lirinë dhe të drejtën e individit dhe jo të shpëtojë PD-në. Ne nuk kemi marrë përsipër të shpëtojmë PD. Meraku jonë është reforma në drejtësi. PD-ja nëse do të kryejë vetëvrasje me Nardin dhe Vangjelin, është e lirë ta bëjë se ka kush bën opozitë për ta”, tha Rama.
(M.D/ Shuplaka)