Sipërmarrje që hapen dhe mbyllen brenda pak muajsh, individë që tentojnë të formalizohen, por dalin sërish në të zezë, pasi kuptojnë që nuk u leverdis, biznese që preferojnë të mbyllen pasi nuk arrijnë të paguajnë një detyrim apo gjobë minimale prej 10 apo 30 mijë lekësh, të tjerë që lënë gjithçka dhe ikin në emigracion.
Sondazhi i “Monitor” me një kampion përfaqësues prej 300 biznesesh, nga 10 mijë subjektet që kanë bërë kërkesë për pezullim aktiviteti në gjithë Shqipërinë në 6-mujorin e dytë 2016 nxjerr anën e errët të ekonomisë shqiptare: Atë të mikro sipërmarrjeve, që deri tani kanë qenë motori i (vetë)punësimit, por po vuajnë pasojat e krizës, rënies së konsumit dhe rimodelimit të ekonomisë…
Nga Ledina LOGA
Lavdije Bogdani, në dhjetor të vitit 2016, ka mbyllur biznesin e saj në Durrës, por ajo mbi vete ka ende shumë borxhe, të cilat u detyrua që t’i merrte fillimisht për të ngritur parukerinë e saj, që e hapi në janar 2016 dhe më pas, për të blerë një kasë fiskale. Këto borxhe ajo thotë se nuk i ka larë ende. Në gjendje shumë të rënduar, Lavdija tregon që inspektorët tatimorë, që në muajin e parë të punës, i kishin vendosur një gjobë në masën e 50 mijë lekëve për mungesë të kasës fiskale, ndonëse ajo thotë se e kishte bërë aplikimin për marrjen e saj dhe e kishte dokumentin përkatës për këtë. Lavdija, e cila është kryefamiljare me dy vajza të mitura, thotë se pas asaj, nuk e ka marrë më veten nga ana financiare.
Në gusht të 2015-s, edhe Tone Gjergji, vendosi që në katin e parë të banesës së saj në Kamëz, të hapë një biznes të vogël familjar, bar-kafe. Shumë shpejt do të bënte kërkesën për pezullim, pasi nga ai biznes nuk po nxirrte më asgjë, megjithëse nuk paguante qira. Në moshën 49-vjeçare, zonja Tone thotë se e ka të vështirë të gjejë një punë.
Njësoj si familjet Bogdani dhe Gjergji, edhe familja Bizhga ka qenë e angazhuar prej vitesh në sipërmarrjen e biznesit të vogël, ku djali dhe bashkëshortët kishin hapur nga një sipërmarrje individuale. Rudina Bizhga administronte aktivitetin në fushën e bilardos në rrugën e Burgut në Tiranë, që nga 2013-a, por për shkak të xhiros së ulët, u detyrua ta mbyllte. Rubeni, i biri, kishte një piceri, i cili gjithashtu vendosi ta mbyllte, pasi me të ardhurat e gjeneruara nuk mund të paguante detyrimet, qira, taksa dhe paga punëtorësh. Tani të tre ata janë të angazhuar në biznesin e vogël të zotit Bizhga, ku sikurse argumentoi Rudina, fakti që janë të angazhuar të tre në biznes, iu ka kursyer pagat e punonjësve.
Bar-kafeja e zotit Flori Trashi në Sauk ishte një biznes familjar, në të cilin ishin angazhuar të gjithë familjarët. Ai thotë se nuk funksionoi, teksa së pari fatura e energjisë eklektike vinte shumë e lartë, 30-40 mijë lekë në muaj, tatimet, kasa 500 euro, kështu vendosi që ta mbyllë.
Edhe Valbona Dushku kishte dhjetë vite që e kishte hapur aktivitetin e bar-kafesë së bashku me të shoqin, në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Pasi puna i shkoi në zero, ajo vendosi të mbyllte aktivitetin. Tani – tha ajo – kam përfunduar shitëse në një furrë buke. Si arsye për falimentimin e biznesit të saj, zonja Dushku dha rënien e fuqisë blerëse, qiranë e lartë që nuk justifikohej më prej xhiros dhe shpenzime të tjera si energjinë elektrike, por edhe konkurrencën e lartë.
Të gjitha këto histori, larg atyre që jemi mësuar të shohim e reklamohen në media dhe që të sjellin në mendje një ekonomi migjeniane, në kushtet e mbijetesës, u konstatuan nga një sondazh që “Monitor” realizoi me një kampion prej 300 biznesesh nga një total prej 10 mijë biznesesh që kanë kaluar në listën e subjekteve pasive të publikuar nga Tatimet vetëm në 6-mujorin e dytë 2016 nga i gjithë vendi. Intervistat u realizuan në muajin shkurt, përmes telefonit. Bizneset u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme dhe u pyetën në lidhje me arsyet e pezullimit të biznesit.
Ky është sondazhi i dytë radhazi, pas atij që u realizua në shtator 2016, me 300 subjekte që kishin kaluar në status pasiv vetëm në Tiranë në 6 muajt e parë të vitit 2016. Këtë herë, sondazhi përfshiu gjithë Shqipërinë.
Në linjë me sondazhin e parë, gati 70% e bizneseve që u anketuan dhanë si arsye të mbylljes së aktivitetit krizën. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (55%) kishin pasur aktivitet të tregtimit me pakicë apo bar-kafe.
70% mbyllen nga kriza
Në linjë me sondazhin e parë, gati 70% e bizneseve që u anketuan dhanë si arsye të mbylljes së aktivitetit krizën. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (55%) kishin pasur aktivitet të tregtimit me pakicë apo bar-kafe.
Rënia e fuqisë blerëse, rritja e konkurrencës, qiratë e larta, gjobat dhe taksat (e hapësirës publike tek bar-kafetë), por edhe dukuri si emigracioni ishin disa prej arsyeve kryesore që dhanë të intervistuarit. Sondazhi konstatoi dhe shumë biznese që kishin tentuar të formalizoheshin, pas aksionit të tatimeve, por ishin mbyllur sërish, pasi nuk mund të mbijetonin nëse do të duhej të paguanin të gjitha detyrimet. Ka dhe biznese që janë mbyllur për shkak të gjobave minimale prej 30 apo 50 mijë lekësh.
Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë, por që tani po vuajnë pasojat e rimodelimit të saj, si kalimi drejt subjekteve të mëdha (qendrave tregtare e supermarketeve), që po çojnë drejt mbylljes shumë prej tyre. Sipas Anketës së Ndërmarrjeve të INSTAT për vitin 2015, në Shqipëri ka 93 mijë ndërmarrje të vogla aktive, apo gati 90% e totalit. Ato zënë një peshë të rëndësishme në punësim, me rreth 33% të totalit, ndërsa në shitjet neto, kontributi i tyre është shumë më i ulët në 14.3%. Për shkak të peshës së lartë në punësim, mbyllja e subjekteve mikro, që po vjen më së shumti për shkaqe strukturore, pritet të kthehet në një problem të madh në të ardhmen, për shkak të mungesës së investimeve të mëdha, që do të amortizonin pasojat në papunësi të kësaj kategorie të mikrondërmarrjeve.
Rimodelimi i ekonomisë
Për shkak të peshës së lartë në punësim, mbyllja e subjekteve mikro, që po vjen më së shumti për shkaqe strukturore, pritet të kthehet në një problem të madh në të ardhmen, për shkak të mungesës së investimeve të mëdha, që do të amortizonin pasojat në papunësi të kësaj kategorie të mikrondërmarrjeve.
Gjobat, rritja e kostove dhe taksat e hapësirës mbyllin bizneset
Gjobat dhe taksat e hapësirës vazhdojnë të mbeten një faktor për mbylljen e bizneseve sipas njerëzve të intervistuar gjatë sondazhit. Kleidon Duro, me aktivitet bar-kafe, tha se e mbylli biznesin pasi nuk po përballonte dot më taksat e larta, por edhe puna shkoi në zero. “Njerëzit u stepën kur qeveria filloi aksionin e famshëm. Tani unë jam i papunë”, – tha kryefamiljari Duro. Edhe Florjan Koçeku tregoi se për shkak të rritjes së taksave, vendosi të pezullonte aktivitetin dhe të lëvizte jashtë.
Taksat e larta ishin motiv edhe për zotin Arif Karafili. Arifi kishte një biznes të vogël, bar-kafe në zonën e Kinostudios ku, përveç se ishte vetëpunësuar, kishte punësuar dhe 5 punëtorë. Fillimisht tha ai – iu rrit taksa për hapësirën publike, rreth 50 mijë lekë, më pas çmimi i energjisë elektrike, fatura e ujit vinte nga 9 mijë lekë në 16 mijë lekë, si dhe u detyrua të sigurojë të gjithë punëtorët që kishte marrë në punë. Në total, pati rreth 100 mijë lekë në muaj kosto shtesë dhe e pa të arsyeshme që ta mbyllë. Arifi, 41 vjeç, i cili është edhe kryefamiljar, aktualisht është i papunë. Pyetjes se si i del për të mbajtur familjen Arifi e shmangu…
Ferdinand Xhani, nga Durrësi, i cili kishte një aktivitet të tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore tha se kishte hapur një dyqan ushqimor përpara zgjedhjeve, duke zbatuar të gjitha rregullat. Por për shkak se kishte marrë një gjobë në masën e 50 mijë lekëve për mosafishim të posterit ku kujtohet tërheqja e kuponit kishte mbyllur aktivitetin. “E apelova, por nuk fitova. Tani jetoj falë ndihmës ekonomike të njerëzve që kam jashtë, – tha ai”.
Për situatën e vështirë të bizneseve, zoti Florian Arapi, avokat me profesion nga qyeteti i Elbasanit, thotë se “keq të hapësh biznes, por më keq ta mbyllësh. M’u rritën sigurimet shoqërore, taksat… nuk po e përballoja dot më”, thotë Floriani.
Vështirësi me inspektorët tatimorë ka hasur dhe Myslym Sinani, nga Patosi. “M’u bë jeta skëterrë, më rrinin tatimorët te dera si xhandarë. Kisha frikë se do të shkoja në burg. M’u bë puna stres. Tani rri pa punë”, – tha zoti Sinani.
Erion Plepi, me aktivitet tregtimi me pakicë në Fier, tha se për pamundësi ekonomike, për të shlyer një gjobë prej 30 mijë lekësh vendosi që të mbyllte aktivitetin. Edhe Elvis Osmani, i cili kishte një bar-kafe në Selitë, kishte mbyllur aktivitetin për shkak të pamundësisë për të paguar gjobën. “Mora një gjobë prej 50 mijë lekësh të cilën nuk mund ta paguaja dot, prandaj e mbylla aktivitetin”, tha ai kur u pyet për arsyet e pezullimit të aktivitetit.
Arsyet
Rënia e fuqisë blerëse, rritja e konkurrencës, qiratë e larta, gjobat dhe taksat (e hapësirës publike tek bar-kafetë), por edhe dukuri si emigracioni ishin disa prej arsyeve kryesore që dhanë të intervistuarit.
Rreth 70% e bizneseve, të përzgjedhura rastësisht, dhanë si arsye për mbylljen e aktivitetit krizën. 163 prej tyre (më shumë se gjysma) operonin në fushën e tregtimit me pakicë dhe atë të bar-kafeve.
Shkëlzen Dema, prej vitesh është punëtor në një qebaptore në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai thotë se puna nuk krahasohet me atë të disa viteve më parë. “Nuk ka më para si dikur, por edhe njerëzit janë të prirë që ta kursejnë më shumë atë”. Ai tha se në zonën e ish-Bllokut, në pak muaj janë mbyllur 6 dyqane me veshje për shkak të krizës.
Kudret Muçollari vendosi të zhvillonte një biznes në Tiranë. Në pak muaj ai do të falimentonte. Tani është kthyer përsëri në Përmet dhe punon ku të mundet. Ai tha për “Monitor” se nuk kishte punë.
Juljan Velçani tha se të gjitha kursimet i kishte investuar në hapjen e biznesit në Tiranë. “Nuk kishte punë. Investova të gjitha kursimet e mia, por shpenzimet ishin shumë të larta, kështu që e mbylla dhe tani më mirë më del të punoj me rrogë”, tha ai i pyetur për arsyet e pezullimit të aktivitetit. Edhe Ilir Zoto pohoi faktin se biznesin e kishte mbyllur për shkak të krizës. “Nuk më leverdiste ta mbaja më. Tani punoj diku tjetër ku marr më shumë të ardhura se sa në biznesin që kisha”, u shpreh Zoto.
Edhe zoti Petraq Kolvani ka dhënë si arsye krizën. Ai u shpreh se lagjja në të cilën kishte hapur biznesin e tij ishte shumë e varfër. Momentalisht, i papunë, ai tha se do të tentojë sërish të hapë biznes në një zonë tjetër të Tiranës.
Qiratë e papërballueshme
Arsye tjetër që dhanë bizneset për pezullimin e aktivitetit ishte edhe qiraja e papërballueshme, e cila nuk justifikohej me xhiron e aktivitetit. Kasjani Blluci, e cila kishte një mezeri në rrugën “Qemal Stafa”, tha se e mbylli aktivitetin pasi i zoti i dyqanit vendosi t’i rriste qiranë. Zonja Blluci paguante rreth 40 mijë lekë gjatë sezonit të dimrit dhe 60 mijë lekë në sezonin e verës. Pasi iu komunikua se do ta kishte qiranë 70 mijë lekë, ajo vendosi që të mbyllte përfundimisht aktivitetin.
Edhe Tatjana Balla tha se arsyeja për mbylljen e aktivitetit të saj në rrugën Ali Demi, tregti me pakicë e veshjeve, u bë qiraja shumë e lartë.
Mimoza Puka, që gjithashtu e kishte pezulluar biznesin, tha për “Monitor” se gjatë periudhës kur ushtronte aktivitetin kishte hasur shumë vështirësi, sidomos me përballimin e qirasë së lartë.
Marjanthi Fasho, e cila tregtonte me pakicë këpucë në Rrugën e Durrësit, tha se më shumë leverdi kishte të jepte dyqanin me qira se sa të zhvillonte biznesin e saj. Edhe Arius Tahiraj, i cili kishte një bar-kafe në Rrugën e Kavajës, tha se e kishte lëshuar ambientin me qira. Padyshim që të ardhurat e përfituara nga qiraja vijnë më lehtë, pa shumë stres, tha ai. Në Rrugën e Kavajës, sipas zotit Tahiraj, qiratë për bizneset variojnë rreth 60-70 mijë lekë.
Disa prej të anketuarve kanë deklaruar se po i mbyllin bizneset për t’i dhënë ambientet ku kanë ushtruar aktivitetin me qira.
Është aq krizë sa po falimenton edhe “Gabi”, apo është rritur konkurrenca?!
Nga rezultatet e sondazhit, edhe dyqanet që tregtonin veshje dhe këpucë të përdorura janë prekur nga kriza. Kolë Ndou, i cili tregtonte veshje të përdorura në Kamëz, tha se ky biznes nuk e leverdiste më, tani ai është i papunë. Kërkesë për pezullim aktiviteti ka bërë edhe Rexhep Hakaj, Shpëtim Ismaili, Arnold Zalli dhe Rikejda Mema, të cilët dhanë si motiv të mbylljes së aktivitetit, rënien e punës.
Të njëjtin lloj aktiviteti, të tregtimit të veshjeve dhe këpucëve të përdorura ushtronin dhe Krenar Fejzaj, Sofia Neço dhe Nure Likaj. Sipas zonjës Neço, edhe në këtë fushë tregtimi, kohët e fundit është shtuar shumë konkurrenca.
Sokol Xhelili, i cili tregtonte rroba të përdorura që nga 2013-a, tha se çmimi i shumicës për rrobat e përdorura është rritur. Për një kilogram rroba të përdorura, zoti Xhelili tha se çmimi varionte nga 1,000 deri në 2,000 lekë. “Nuk po na dilte asnjë rrogë, tha ai”.
Të njëjtën arsye dhanë për “Monitor” edhe Pranvera Avdillari me Alime Hoxhën, të cilat e kishin hapur aktivitetin në të njëjtin vit me zotin Xhelili. Duket sikur shqiptarët kanë maninë për të kopjuar bizneset e njëri-tjetrit.
Në fakt, duket se konkurrenca është rritur shumë në këtë sektor dhe të gjithë po tentojnë të kapin konsumatorët që duan të shpenzojnë më pak. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme së Doganave, importi i mallrave “të dorës së dytë” është rritur vitet e fundit.
Të dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë tendencë. Importet e veshjeve të përdorura kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe të pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Për 5-mujorin 2016 ato arritën në 1 miliard lekë (rreth 8 milionë euro), me një rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një tjetër biznes që po shënon rritje është edhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.
Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “Gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.
Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.
Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar në vitin 2013, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum.
Në vit importohen rreth 13 milionë kilogramë veshje të përdorura, me një vlerë importi prej rreth 18 milionë eurosh në 2015-n, sipas INSTAT.
Bar-kafetë, biznesi klishe i shqiptarëve
Nga 300 bizneset shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41%.
Bizneset e reja përballen gjithmonë me riskun e falimentimit, të paktën në 5 vitet e para të krijimit të tyre. Pavarësisht dëshirës për të krijuar një biznes të qëndrueshëm, ekziston një risk sistematik (i vazhdueshëm) që çon bizneset në falimentim. Jo të gjithë ata që krijojnë një biznes, kanë aftësitë e duhura menaxheriale për ta drejtuar atë.
Një pjesë e të anketuarve shpreheshin se nuk iu eci dhe se nuk e patën menduar mirë. Disa zgjodhën zonën e gabuar, kurse të tjerë llojin e aktivitetit.
Konkurrenca e fortë kërkon jo vetëm një menaxhim të mirë, por edhe të sjellësh diçka të re, gjë që e cila sot mungon në Shqipëri.
Odise Tito nga qyteti i Durrësit, i cili kishte një bar-kafe, dhe e ka mbyllur para pak kohësh, tha se “me një xhiro prej 10 mijë lekësh në ditë nuk mund të paguaja as dritat, jo më të mbyllja detyrimet e tjera”.
Françesko Laskaj nga Puka, aktualisht i papunë, ka bërë kërkesë për të pezulluar bar-kafenë të cilën e kishte në janar të vitit të kaluar. Për “Monitor”, ai tha se po kërkon të hapë sërish të njëjtin lloj aktiviteti.
Gentjan Çela nga Tirana, sipërmarrës i një biznesi të vogël, ka çregjistruar biznesin e tij të bar-kafesë. Tani ai e nxjerr jetesën me anë të pikës së lotos. I pyetur nga “Monitor” për arsyet se pse vendosi të pushonte aktivitetin, ai tha se bari nuk nxirrte as shpenzimet e veta, ndërsa pika e lotos është më ndryshe. Megjithëse fitimet nga pika e lotos nuk ishin të larta, ai tha se të paktën po i siguronte jetesën.
Edhe Verije Rakipllari e mbylli bar-kafenë “Wall Street”, që pavarësisht emrit, thotë se nuk i eci.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT , numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar- kafe për 100 mijë banorë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga ‘Monitor’, shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë, apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale.
Spanjës i afrohet vetëm Shqipëria, me 473 bar-kafe dhe Qipro. Kjo e fundit dikur mbante rekord, por për shkak të krizës së viteve të fundit, shumë bare janë mbyllur. Në Qipro, numri i bar-kafeve ka rënë vitet e fundit nga 7,500 në pak mbi 5,600, sipas një raporti për mikpritjen në Europë nga HOTREC. Me një popullsi prej 1.19 milionë banorësh, Qipro ka 470 bare për 100 mijë banorë, një shifër e përafërt me Shqipërinë.
Ndërsa në Spanjë dhe Qipro ka një nivel shumë të lartë turizmi, të shtrirë gjatë gjithë vitit, që janë ndër konsumatorët kryesorë të bareve, në Shqipëri, në pjesën dërrmuese, klientët janë vendas. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para, apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojë, edhe më shumë hapen të reja. Sipas INSTAT, në 2015-n, numri i bar-kafeve u rrit me 31%, nga rreth 10.4 mijë në 13.6 mijë, pra shtesa neto ishte rreth 3200 bar-kafe të reja (në këtë shifër ka dhe lokale të vogla që mund të jenë formalizuar, pas aksionit të tatimeve në tremujorin e fundit 2015). Po, sipas INSTAT, numri i restoranteve në fund të 2015-s ishte 4,061 edhe ai i rritur me 22%.
Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante.
Leonard Laçi, për më shumë se 10 vite, ofronte shërbime funerale në qytetin e Pukës. Një vit më parë, në kuadër të nismës për formalizimin, regjistroi biznesin në QKR. I pyetur nga “Monitor” për shkaqet e mbylljes, ai deklaroi se pati rënie të aktivitetit. Falimentimi i këtij biznesi 10-vjeçar tregon se bizneset në Shqipëri janë aq të varfra, sa nuk mund të mbyllin as detyrimet.
Tahir Vata, shofer nga qyteti i Kukësit, u detyrua të merrte licencë për shkak të porositësit të tij, Nika-Bl, për të kryer transportin e hekur-nikelit. Në historikun e biznesit të tij tregohet se është pezulluar dhe aktivizuar disa herë aktiviteti i tij, për të cilin ai tha se e bënte për të mos paguar sigurimet kur ishte pa punë.
Fatmir Bastari vendosi që aktivitetin e këmbimit valutor, të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në të zezë, ta formalizonte duke hapur një pikë këmbimi monedhash. Biznesi i tij mundi të mbijetonte vetëm për katër muaj. Fatmirit nuk i buzëqeshi fati, ai liston si arsye shumë faktorë, nga taksat deri në keqmenaxhim.
Edhe Flori Trashi nga Durrësi, prej 5 vitesh operonte në grumbullimin e skrapit dhe tregtimin e tij. E formalizoi biznesin në 2015-n. Më pas e mbylli pasi nuk mund të mbyllte dot detyrimet. Tani është i papunë.
Avni Tobli, kontabilist, ka kaluar në zyrën e tij rreth 550 biznese në pesë vitet e fundit, nga të cilat gati gjysma janë mbyllur. Zoti Tobli tha se 10% e bizneseve falimentojnë në mënyrë sistematike. Shpeshherë, shkak është menaxhimi i dobët, mungesa e inovacionit dhe konkurrenca e ashpër. Ndërsa, 40% të subjekteve për shkak të krizës. Pjesa tjetër, 50%, nuk kanë qenë ndonjëherë biznese të mirëfillta dhe janë pjesë e grupit të reformës për formalizim, të cilët regjistruan bizneset e tyre dhe duke mos ia dalë me pagesat e detyrimeve, sot po mbyllen.
Më mirë me pagë, se me biznes
Tingëllon si paradoks, por ja që shqiptarët janë të mendimit se është më mirë që të jesh i punësuar se të kesh biznesin tënd privat. Ardit Nexhipi tha se e mbylli aktivitetin e tij, pasi kishte gjetur një punë më të mirë, me një pagë më të kënaqshme se fitimet që nxirrte nga biznesi i tij. Edhe Ilir Zoto, me aktivitet bar-kafe në kryeqytet, dha të njëjtën arsye për pezullimin e aktivitetit të tij.
“Nuk më leverdiste ta mbaja më. Tani punoj diku tjetër ku marr më shumë të ardhura se sa në biznesin që kisha, – tha ai gjatë intervistës.
Të njëjtën arsye për mbylljen e aktivitetit dha edhe Ardit Lisi, Demir Kanina, Altin Blushi dhe Alfred Gjipali, të cilët nga sipërmarrës, kanë kaluar në rrogëtar.
Dy kategoritë më të goditura nga kriza janë bar-kafe dhe tregtia me pakicë, të cilat përbënin rreth 50% të të gjitha përgjigjeve të sondazhit.
Enelida Caka nga Tirana, tha se tregtia ka rënë gjysmë për gjysmë krahasuar disa vite më parë. Këtë ajo e kishte konstatuar gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj, tregti me pakicë.
Këtë fakt e pohon dhe zoti Durim Halla, i cili kishte një minimarket në zonën e Yzberishtit. Përpos rënies së fuqisë blerëse, zoti Halla tha se hapja e supermarketeve të mëdha ka nxjerrë jashtë loje të gjithë dyqanet e vogla. “I madhi e ha të voglin”, – u shpreh ai.
Zinxhiri i supermarketeve të mëdha kanë “nxjerrë jashtë loje” dyqanet ushqimore të lagjeve. Pjesa më e madhe, duke mos konkurruar dot supermarketet që tregtojnë një gamë të gjerë produktesh, shpesh edhe me çmim më të lirë, për shkak se një pjesë e mirë e tyre janë distributorë të disa prej produkteve kryesore, kanë falimentuar.
Me një normë të ulët fitimi, 10% mbi xhiron, dyqanet e gjetën të pamundur të mbijetojnë, duke i shtuar gjithë kësaj situate dhe rënien e fuqisë blerëse, e cila është pranuar nga të gjitha bizneset e kontaktuara nga “Monitor”.
Edhe individët që janë marrë me tregtimin e veshjeve deklarojnë se ka një rënie të fuqisë blerëse, si dhe një konkurrencë të shtuar në këtë fushë. Shkëlzen Ivana, me dyqan pranë Ambasadës Amerikane, tha se përveç rënies së fuqisë blerëse, konkurrenca nga tregtia online ishte shumë e fortë. “Arrita të mbijetoj vetëm një vit, tani jam i papunë – tha zoti Ivana.
Falimentimi i biznesit të vogël, së bashku me pasojat ekonomike, ka dhe pasoja sociale, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë qenë biznese familjarë. Shumica dërrmuese e të pyeturve thanë se ishin të papunë. Bujar Cani nga Durrësi, kryefamiljar, pas falimentimit të biznesit të tij, tha se nuk ka gjetur më punë.
Emigracioni, të zhgënjyerit që ikën dhe të rikthyerit e zhgënjyer
Malbor Guri nga Tirana, dikur sipërmarrës, është në pritje të letrave për të emigruar në Gjermani. Biznesi i tij me aktivitet në shërbimin e gomisterive, nuk eci. Aktualisht është i punësuar përkohësisht në një servis automjetesh, deri sa të dalin letrat për emigrim.
Edhe Viktor Tollumi, i cili kishte një bar-kafe në qytetin e Elbasanit, tha se e kishte mbyllur aktivitetin pasi kishte vendosur që të emigronte në Gjermani.
Jonida Ndreu, me profesion mjeke stomatologe, vendosi të mbyllte biznesin e saj në Durrës, klinikë dentare për t’u larguar në drejtim të Gjermanisë. E ëma rrëfeu për “Monitor” se është vendosur përfundimisht atje.
Listës së emigrantëve që kanë shkuar jashtë i është shtuar edhe Ilirjana Aliraj. Gledis Shehu, ekonomist i zonjës Ilirjana, thotë se kohët e fundit është shtuar numri i bizneseve që kanë bërë kërkesë për pezullim.
Emigrimi ka qenë arsyeja e mbylljes së aktivitetit edhe për Pranvera Osmanin dhe Daniel Agollin.
Të zhgënjyer kanë mbetur edhe ata të cilët janë kthyer nga emigracioni, dhe paratë e kursyera ndër vite kanë vendosur t’i investojnë në biznese në vend.
Violeta Isallari, bashkë me të shoqin, u rikthyen në Shqipëri pas vitesh të tëra në emigracion. Ajo vendosi të hapte një biznes të cilin do ta vazhdonte vetëm për një vit. Vëllai i saj na rrëfeu se Violeta i është rikthyer emigracionit, ndërsa biznesin e ka mbyllur pasi falimentoi.
Edhe Muhameti, ish-emigrant në Greqi, u kthye në vend dhe vendosi që të hapte një dyqan të tregtimit të fruta-perimeve tek ish-uzina “Dinamo”. Për shkak të një konflikti me pronarët e tokës dhe Bashkisë së Tiranës, tregu u prish dhe tregtarët, bashkë me to dhe zoti Muhameti, u zhvendosën në Tregun e ri Industrial të Tiranës në Kashar. Për pak muaj do të falimentonte, dhe u detyrua që të shiste dy makinat dhe frigoriferin që kishte blerë me kursimet.
Nga Greqia u rikthye edhe Lulzim Doda. “U riktheva nga Greqia dhe investova të gjitha kursimet në biznesin që hapa. Falimentova shumë shpejt, nuk pati as xhiro, por edhe konkurrenca nga marketet e mëdha ishte e fortë. Do t’i kthehem sërish emigrimit”, tha ai gjatë intervistës.
Luiza Tarllamishi, të gjitha kursimet e punës 12-vjeçare në Belgjikë vendosi që t’i investonte në Shqipëri në hapjen e një biznezi pranë zonës së Astirit, i cili nuk zgjati as 3 muaj. E zhgënjyer se humbi kursimet e punës disavjeçare, Luiza liston si arsye kryesore taksat e larta, konkurrencën dhe fuqinë blerëse të ulët.
Sipas një studimi të Cooperation and Development Institute (CDI) / ShtetiWeb, i mbështetur nga zyra e Tiranës e Hanns-Seidel Foundation (HSF) është papunësia e lartë që i shtyn shqiptarët të emigrojnë.
Rreth 1.5-2 milionë shqiptarë gjenden si emigrantë jashtë, kryesisht në: Greqi (0.5-0.6 mln), Itali (0.5-0.6 mln) dhe SHBA (0.1 mln), etj.
Performanca e ekonomisë dhe rënia e kërkesës për punë në periudhën e emigrimit në Gjermani (2014-2015) ishte një nga shkaqet kryesore të cituara edhe nga ata persona, të cilët kishin një profesion ose drejtonin një biznes.
Sëmundjet që po mbyllin bizneset
Disa nga të intervistuarit dhanë si arsye të pezullimit të aktivitetit edhe problemet shëndetësore.
Eglantina Boduri tha se e mbylli biznesin për shkak të problemeve me shëndetin. Ajo tha se është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë, nga e cila vuajnë vetëm pesë persona në të gjithë Shqipërinë.
Edhe Maksi Qirici tha se pasi u diagnostikua me tumor, vendosi që të pezullonte aktivitetin në qytetin e Tiranës.
Problemet shëndetësore ishin arsye edhe për Fiqerete Buzallin, Ermal Hoxhallin dhe Elona Danin.
Të njëjtën arsye dha dhe zoti Adrian Pano, me profesion mekanik, se problemet shëndetësore u bënë pengesë për të vazhduar aktivitetin e tij.
Jetmir Metaliaj tha se e mbylli aktivitetin, pasi i ati iu diagnostikua me tumor. “M’u desh që ta pezulloja për t’iu përkushtuar sëmundjes së tij”, – tha Jetmiri.
Diagnozat kardiovaskulare, tumorale dhe ato kronike e kanë renditur Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në rajon për 2015, sipas të dhënave globale “Health data”. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja.
Produktiviteti i popullatës shqiptare po cenohet rëndë prej fenomeneve në rritje të emigracionit, plakjes së popullsisë, rënies së lindjeve dhe përkeqësimit të frikshëm të shëndetit, që pritet të japin ndikim të ndjeshëm negativ në ekonomi në një të ardhme jo të largët. Ndryshimi i stilit të jetesës në dy dekadat e fundit, përkeqësimi i fenomeneve të obezitetit, pirjes së duhanit, alkoolit, ndotjes së mjedisit dhe kequshqyerjes nga njëra anë dhe shërbimet e mangëta shëndetësore, nga ana tjetër, e kanë bërë Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon.
Sëmundjet po ndikojnë në biznes
Diagnozat kardiovaskulare, tumorale dhe ato kronike e kanë renditur Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në rajon për 2015, sipas të dhënave globale “Health data”. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja.
Me gjithë mangësitë në statistikat e treguesve të shëndetit të popullatës, trendi tregon për rritje të shpejtë të sëmundjeve të zemrës, tumoreve gjatë viteve të fundit, teksa ekspertët lajmërojnë për një përkeqësim të mëtejshëm në vitet e ardhshme si rezultat i plakjes të popullatës.
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik, që u referohen raportimeve spitalore, tregojnë se prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%. Nëse në vitin 2002, për 10 mijë banorë u diagnostikuan 41 persona me sëmundje tumorale, në vitin 2014 të diagnostikuarit me këtë sëmundje ishin 73 persona (për 10 mijë banorë) pa përfshirë diagnozat e vëna nga qendrat ambulatore. Me mbi 60% janë rritur sëmundjet kardiovaskulare, teksa shihet rritje e sëmundshmërisë për të gjitha llojet e diagnozave. /monitor/