Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar punimet në shkollën 9-vjeçare “Betim Muço” në Kombinat. Pasi theksoi se projekti për ndërtimin e 20 shkollave në kryeqytet do të zgjidhë përfundimisht mësimin me dy turne, ai theksoi cilësinë e mësimdhënies në këto shkolla.
Kjo për shkak se sipas tij nuk mjafton vetëm cilësi infrastrukture, terrene sportive, klasa dhe laboratorë të mirë, por edhe mësuesit më të mirë të Tiranës.
“Dua të falenderoj Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë e Arsimit të rrethit të Tiranës sepse kemi rënë dakord që në shkollat e reja të sjellim mësuesit më të mirë. Nuk mjafton të sjellim vetëm cilësi infrastrukture, terrene sportive, klasa dhe laboratorë të mirë, por edhe mësuesit më të mirë të Tiranës. Ndaj në 1 shtator, kur të hapet kjo shkollë, do të ketë edhe mësuesit më të mirë të Tiranës.
Kemi marrë disa vendime të tjera, për ta kthyer Kombinatin në një zonë të poliqendrave të Tiranës. Së pari, shkolla dhe së dyti, tregu këtu pranë. Në Kombinat, shumë prej atyre që ushtrojnë aktivitetin tregtar e bëjnë këtë në kushte johigjienike, buzë rrugës, nëpër cepa pallatesh. Kjo nuk është normale. Do të bëjmë të njëjtin transformim, siç bëmë me “Pazarin e Ri”, edhe në Kombinat, me një treg modern.”, u shpreh Veliaj.
(XH.A/SHUPLAKA)
