Ministri i ri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj është takuar sot me sot ministrin e Shtetit për Sigurinë në Britaninë e Madhe, Ben Wallace me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin mes dy vendeve respektive, për luftën kundër krimit të organizuar.
Dy palët ranë dakort që sëshpejti në Shqipëri të vijnë, tre oficerë të Policisë britanike. Kjo për të rritur shkëmbimin dhe cilësinë e informacionit.
NJOFTIMI I MINISTRISE
Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj priti sot ministrin e Shtetit për Sigurinë në Britaninë e Madhe, Ben Wallace.
Dy ministrat diskutuan mbi gjetjen e mundësive dhe pikave të përbashkëta të interesit, për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri Xhafaj i parashtroi zoti Wallace, prioritetet e detyrës së tij, duke u ndalur tek lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, krimit të organizuar e grupeve kriminale, si dhe në promovimin e integritetit të punonjësit të shtetit përmes shtrirjes së procesit të Vetting-ut edhe në rradhët e Policisë së Shtetit.
Në fokus të takimit, mbajtur në zyrën e ministrit të Brendshëm, ishin çështjet që prekin sigurinë në të dy vendet.
Ministri Wallace e konsideroi bashkëpunimin dhe partneritetin me palën shqiptare, ndër më të suksesshmet.
Palët u dakordësuan për ardhjen në Shqipëri të 3 oficerëve të Policisë britanike në mënyrë të përhershme, për të rritur shkëmbimin dhe cilësinë e informacionit, të kapaciteteve inovative që ka në përdorim policia, si edhe trajnime për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Me kërkesë të ministrit Xhafaj, pala britanike u shpreh e gatshme për të ofruar asistencë për Akademinë e Sigurisë. (D.D/Shuplaka)