Një superoperacion antidroge është zhvilluar në kryeqytetin italian, ku kanë përfunduar në pranga 267 persona. Si rezultat i operacionit të koduar “Pusher2” ku morën pjesë 103 skuadra italiane, u arrestuan 250 burra dhe 17 gra. Ndër të arrestuarit 133 janë italianë dhe 134 të huaj.
Burime të policisë italiane bëjnë të ditur se janë gjetur dhe konfiskuar rreth 60 kilogramë kokainë, 4 kilogramë heroinë, 805 kilogramë hashash, rreth 300 kilogramë dhe 50 bimë marijuanë e rreth 70 gramë droga sintetike.
Faza kryesore e operacionit u zhvillua përgjatë 29-31 marsit, ku u përfshinë një sërë strukturash të sigurisë. Nga kontrollet e kryera u zbulua laboratori që përdorej për trajtimin, magazinimin dhe paketimin e drogës, kryesisht marijuanës.
Më shumë se 43 kilogramë kokainë u sekuestruan pasi u gjetën të fshehura në një furgon dhe makinë të vogël. Makinat ishin përshtatur duke iu vendosur një ndarje sekrete, nga një prej shqiptarëve që përfundoi në pranga.
Hetuesit në Romë gjetën dhe konfiskuan edhe dy armë të mbajtura në mënyrë të paligjshme, njëra prej tyre e vjedhur, 300 fishekë, 150.000 euro cash.
(XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post