Pas ndalesës në Cakran ku shpërndau lejet e legalizimit, kryeministri Edi Rama ka shkuar në Apolloni ku është takuar me të rinjtë e Fierit.
Në takimin me ta, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ai u ndal tek situata politike në vend, kërkesa e opozitës për qeveri teknike për zhvillimin e zgjedhjeve.
Nga Apollonia, Rama u shpreh se debati për qeverinë teknike nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me ata që nuk i duan zgjedhjet e nuk duan që të tjerët të zgjidhen.
Sipas Ramës, votimi ka lidhje me Shqipërinë që duam, me Shqipërinë ku për të rinjtë nuk duhet të ketë rëndësi si e ke emrin e kë njeh, por sa mëson.
“Debati për qeveri teknike është një debat që nuk ka lidhje me zgjedhjet, pse zgjedhjet do organizohen dhe pse duhet votuar në zgjedhje. Ka lidhje me ata nuk duan të lenë të tjetër të zgjedhin se nuk duan të zgjidhen të tjerë. Votimi ka lidhje me Shqipërinë që duam.
Duan një Shqipëri ku nuk ka rëndësi se sa mëson, po si e ke ti emrin dhe se kë njeh. Duam një Shqipëri ku pavarësisht se ia vlen apo nuk ia vlen, të gjithë shkojnë në universitet dhe ngelen pa punë apo kush shkon në universitet merr një diplomë e kush nuk shkon merr një zanat.”, u shpreh ndër të tjera Rama.
(XH.A/SHUPLAKA)