Policia greke në bashkëpunim me atë italiane kanë ndaluar një organizatë kriminale që transportonte me super skafe, sasira të mëdha droge nga Shqipëria në Itali.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria greke e marinës, e cila tregon se pas këtij operacioni kanë rënë në pranga dy shtetas grekë dhe pesë shqiptarë.
Pjesëtarë të organizatës kriminale kishin kryer përgatitjet e nevojshme për një skaf i cili ruhej në një zonë të Athinës dhe më 6 prill, u nis pa ngarkesë për në brigjet e Shqipërisë. Aty, pas një qëndrimi prej një ore, skafi u ngarkua dhe nisi lundrimin për në brigjet e Italisë.
Pas këtij informacioni, policia greke njoftoi edhe Guardia di Financia-n italiane, dhe mbrëmjen e të njëjtës datë skafi u lokalizua në bregdetin e Italisë së jugut, duke shkarkuar drogën e llojit kanabis. Menjëherë pas kësaj u largua me shpejtësi.
Pas operacionit të përbashkët, u sekuestruan dy skafe, një shumë prej 1.800 eurosh, 13 telefona celularë, dokumente të shumta që lidhen me veprimtarinë e organizatës kriminale. Fitimi monetar i organizatëls nga gjithë aktiviuteti, përllogaritet në miliona euro. (D.D/Shuplaka)