Kreu i Kuvendit si edhe i LSI-së Ilir Meta, mbrëmjen e së enjtes ka darkuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, fill pas përballjes televizive me dy liderët e partive kryesore, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.
Të tre këta ishin mbrëmjen e së enjtes (Meta, Rama,Basha) në një transmetim të drejtpërdrejtë por edhe në të njëjtën fashë orari, në tre prej emisioneve më të rëndësishme politike: Rama te “Të paekspozuarit” e Ylli Rakipit, Meta tek “Arena” e Dritan Hilës, Basha te “Opinion” i Blendi Fevziut”.
Fill pas transmetimit, Meta është fotografuar duke darkuar në ambientet e “Ora News”, së bashku me gazetarin mik Dritan Hila, me pronarin e Televizionit, Ylli Ndroqi, ndihmësin e tij, Lorenc Vangjeli si edhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Foto kjo e publikuar nga “Opinion.al”.
Ndërsa “Shuplaka” mëson se Edi Rama pas emisionit, megjithëse vonë, pas orës 12 të natës darkoi me Ylli Rakipin. Ai kishte më afër Surrelin por preferoi një restorant afër një kompleksi tek Harry Fultz.
Ende nuk dihet se për çfarë kanë biseduar Meta dhe Veliaj, por vitet e fundit raportet mes tyre kanë qenë mjaft të mira, ndryshe nga sa ndodh me kryeministrin Rama. Ky takim vjen në një situatë mjaft të tensionuar politike, kjo për shkak të kërkesave të opozitës për qeveri teknike, si edhe frikës që i ka kapur të gjithë në politikë se zgjedhjet rrezikohen.(D.D/Shuplaka)