Kryetari i Shoqatës së Efektivave të Policisë në Lirim, Aleks Hajdari, shprehet se vrasja e ish-zyrtarit të lartë Artan Cuku, lidhet drejtpërsëdrejti me detyrën e tij, si ish-funksionar i lartë i policisë. Ai kujton momentet kur Cuku u lirua nga detyra nga ish-kryepolici Didi, duke e vendosur në detyra më të ulëta deri në shkarkimin e plotë të të tij.
Miku i ish-zyrtarit të lartë, Aleks Hajdari, në një intervistë të dhënë për “Shqiptarja.com”, e cilëson Cukun si një qytetar që njihej e respektohej nga të gjithë, si mishërim i njeriut që mbarte dhe reflekonte vlerat më të larta njerëzore.
Ai shprehet se vrasja e Artan Cukut tregon sa “e braktisur dhe e pasigurte është sot e gjithë armata e ish-drejtuesve dhe ish-punonjësve të policisë që sot ndodhen në rrugë, në mëshirë të fatit, të ekspozuar përballë krimit”.
“Për shkak të pseudoreformave të ndërmarra nga Qeveria dhe MPB pas tetorit 2013 ish-drejtuesi dhe viktima e krimit makabër e pa veten në rrugë,i braktisur nga shteti që i shërbeu, nga struktura policore për të cilën ai sakrifikoi dhe u përball çdo ditë me krimin dhe kriminelët për mbi 24 vite të karrierës së tij policore.
Vrasja mafjoze e natës së djeshme ndaj ish- drejtuesit dhe kolegut tonë tregon me zë të lartë se sa të braktisur dhe të pasigurte është sot e gjith armata e ish-drejtuesve dhe ish-punonjësve të policisë që sot ndodhen në rrugë, në mëshirë të fatit, të ekspozuar përballë krimit dhe politikave të ndërmarra nga një prej drejtuesve më famëkeq që ka njohur dikasteri i MB dhe ish Drejtori i Policisë së Përgjithshme Artan Didi.”, shprehet ai ndër të tjera.
(XH.A/SHUPLAKA)