Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dha mesazhe të rëndësishme për politikanët shqiptarë, duke iu drejtuar këtu përfaqësuesve të qeverisë, mbi situatën politike në vend dhe deklaratat akuzuese mes tyre.
Ai shprehu përpara të rinjve besimin se vetëm të rinjtë mund ta çojnë përpara Shqipërinë, duke vlerësuar këtu kontributin e LSI-së.
Duke u ndalur tek reforma në arsim dhe veçanërisht tek Matura Shtetërore, ai premtoi se ulje të tarifave, investim tek të rinjtë.
Ai nuk u ndal me kritikat ndaj politanëve që zihen dhe shahen, duke theksuar se nevojitet një parlament që të përfaqësojë shqiptarët dhe jo koncesionet.
“Nuk na dhimbsen as karriget tona për t’i dhënë një zgjidhje shqiptarëve dhe për të mos u bërë turpi i Europës. Ne duhet të bëjmë dhe kemi detyrim për të bërë cdo gjë për të rinjtë tanë. T’i japim një shans të rinjve të këtij vendi që nuk kanë njohur diktaturën, që e ardhmja e tyre të mos ndikohet nga arroganca dhe kokëfortësia.
LSI është krenare sepse është forca politike që ka investuar më shumë me të rinjtë në parlament. Unë kam besuar gjithmonë te të rinjtë, tek forca dhe energjia e tyre transformuese.
Ishte fuqia e të rinjve dhe studentëve që ndryshoi regjimin më të izoluar dhe jam i bindur se është fuqia e të rinjve që nuk do të lejojë të merret peng demokracia dhe zgjedhjet e lira në këtë vend.
Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më clodh më shumë. Këta të rinj dhe të reja tregojnë se Shqipëria ka të ardhme, se rinia e Shqipërisë do të marrë në dorë fatet e vendit.
Ju keni qenë dhe do të jeni gjithmonë zëri i gjimnazistëve për një maturë shtetërore që u jep shanse të gjithëve. Ekonominë nuk mund ta zhvillojmë duke vrarë ëndrrën e një maturanti.
LRI dhe LSI janë të bindur se reforma në arsim do jetë një reformë e zhvillimit dhe emancipimit në vitet e ardhshme. Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat, duke rritur ndjeshëm buxhetin për arsimin. Është obligimi ynë më madhor të investojmë sot tek të rinjtë.
Për ne si LSI dhe LRI, synimi ynë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për të rinj të arsimur dhe familje të shëndetshme. Kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. E atyre që dinë të mbajnë gjallë shpresën, është koha për të goditur apatinë dhe mosbesimin, për t’u dhënë një shans shqiptarëve.
Ndërsa politikanët zihen dhe shahen dhe harxhojnë energji të pashtershme me retorikat e tyre boshe, prindërit tanë u duhet të përballen me kostot e jetesës. Ne na duhet një parlament që të përfaqësojë shqiptarët dhe jo koncesionet, klanet e kapura. Të rinjtë shqiptarë kërkojnë një shans që të vendosin, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Lum kush e dëgjon dhe reflekton se zgjedhjet e lira nuk duhet të lejohen të bëhen kurban në këtë vend.
Ndaj jemi sot më të vendosur se kurrë që vendin ta cojmë drejt zgjedhjeve të lira e të gjithëpranuara dhe kurrsesi drejt zgjedhjeve arrogante dhe arbitrare. Demokracia nuk duhet të jetë “one man show”, por një shans për të gjithë.”, deklaroi ndër të tjera në takimin me të rinjtë, Ilir Meta.
(XH.A/SHUPLAKA)
![](http://faxnews.wpengine.com/wp-content/uploads/2017/04/meta-7-533x400.jpg)