Një 35-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në lagjen “Pavarësia”të Vlorës. Fillimisht, shtetasi i identifikuar si Elidon Mehmeti mbeti i plagosur dhe u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal në Vlorë, por nuk mundi t’u rezistojë plagëve të marra.
Ai ishte duke udhëtuar me makinë kur u godit nga një breshëri plumbash me armë të tipit kallashnikov. Referuar të dhënave paraprake, makina e tij është goditur me 15 plumba në derën e makinës së shoferit.
Dyshohet se atij i është ngritur pritë për shkak të një sherri në lokal. Burime të policisë bëjnë të ditur se janë shoqëruar 2 persona për zbardhjen e ngjarjes.
Detaje të Policisë së Vlorës:
Rreth orës 22:58, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Elidon Mehmeti, rreth 35 vjeç, banues në Vlorë.
Shtetasi i plagosur u transportua menjëherë në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal Vlorë, por më pas ka ndërruar jetë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në zonën e Skelës, ku shtetasi Elidon Mehmeti ka qenë në mjetin tip “Ford”, përballë një hoteli, kur është qëlluar me armë zjarri.
Deri tani, janë shoqëruar 2 persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Policia ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur grupe kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(XH.A/SHUPLAKA)