Ligjërisht sot në orën 24 përfundon afati për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 18 qershorit. Neni 64, pika 1 e kodit zgjedhor parashikon që çdo parti duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Deri tani në KQZ janë regjistruar 29 parti, ndërkohë që Komisioni do të mblidhet mesditën e sotme për të regjistruar dhe tre parti të tjera, që do të jenë pjesë e procesit të ardhdhëm zgjedhor.
Partitë e opozitës kanë refuzuar të regjistrohen duke i qëndruar kërkesës së tyre për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Nga ana tjetër ditën e djeshme kreu i KQZ-së deklaroi për ‘Shqiptarja.com’’ se edhe përtej afatit zyrtar ai do të votojë regjistrimin e partive në zgjedhje.
“Vota ime do të jetë pro regjistrimit të cilësdo partie edhe përtej afatit. Natyrisht, jo përtej çfarëdolloj afati. Unë po flas vetëm për votën time. Nuk e di se si do të votojnë kolegët. Por, kjo gjë nuk mund të shkojë pa fund, pasi në momentin, që është data 29 prill, që do të depozitohen listat e kandidatëve dhe që ne duhet të nisim urgjentisht në atë moment printimin e fletëve të votimit, nëse fletët e votimit do të jenë printuar, natyrisht nuk ka më kuptim se çfarë të regjistrosh”, u shpreh kreu i KQZ-së.
Në kundërpërgjigje të tij kreu i opozitës Basha deklaroi se opozita nuk do të hyjë në zgjedhje.
“Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të kryeministrit dhe qeverisë së korrupsionit. “Ju jap KQZ-në” thotë, por për çfarë duhet KQZ-ja kur ti ke krimin dhe drogën. Me këtë kryetar idiot që thotë se është i gatshëm me vullnetin e mirë ta shtyjë dhe 19 ditë. Je kryetar i KQZ-së, jo Papa i Vatikanit, o idiot.
Ku ka përfunduar ky vend me një kryeministër që nuk thotë asgjë për vrasjen e një ish-zyrtari dhe 12 ton drogë.
Regjistrimi skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur, zgjedhje të diktuara nga krimi nuk ka për të pasur.”, është shprehur ndër të tjera Basha.
Nuk dihet nëse KQZ-ja do të gjejë një hapësirë ligjore të qartë për shtyrjen e afateve të regjistrimit. (E.K/SHUPLAKA)