Dy ditë më parë u ekzekutua poshtë banesës së tij në Tiranë, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Vrasja e tij është ende në proces hetimi, ku kryesisht po hetohet pista e hakmarrjes për shkak të detyrës, lidhur me postet që ajo ka mbajtur më parë.
Atentati ndaj tij që tronditi opinionin publik të shtunën, nuk është i pari atentat që bëhet ndaj një drejtuesi të lartë policie.
Kujtojmë se rreth katër vite më parë, më 25 shkurt 2013, u ekzekutua ish-shefi i Komisariatit të Kombinatit në Tiranë, Dritan Lamaj, i cili u qëllua me breshëri plumbash. Për atentatin ndaj tij u akuzua Mark Frroku, i cili u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, duke arritur të arratisej para vendimit të Apelit. Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi lirimin e tij nga burgu me pretendimin se provat e Prokurorisë nuk ishin bindëse.
Një tjetër viktimë e atentateve të ngjashme është Musa Skura, shefi i Krimeve të Burrelit, i cili humbi jetën në një spital në Itali, pasi u plagos rëndë më 13 janar të 2013-ës gjatë një operacioni për kapjen e disa të shpallurve në kërkim. Baba i tre fëmijëve, gjatë një operacioni për të goditur një rast të shitjes së municioneve luftarake me qëllim kapjen në flagrancë të autorëve të dyshuar në vendin e quajtur Përroi i Keçit në fshatin Suç.
Adem Tahiraj është një tjetër shef komisariati që mbeti i vrarë gjatë një sulmi me armë zjarri. Shefi i Komisariatit të Shijakut u vra në shtator të 2012-ës, në një sulm me armë ku mbetën të plagosur një polic dhe një qytetare e moshuar. Ekzekutimi i tij ndodhi gjatë një aksioni policor.
Një rast i ngjashëmë është edhe ai i ekzekutimit të Simon Gjetës në tetor të 2015-ës, i cili u vra pasi kishte shkuar të arrestonte Ruzhdi Aishtën, pasi ky i fundit kishte plagosur fqinjin e tij. Kreu i grupit operacional të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër u vra teksa forcat RENEA mbajtën të rrethuar shtëpinë e autorit dhe tentuan disa herë të negocionin me të për t’u dorëzuar.
(XH.A/SHUPLAKA)