Nga Poli Hoxha
Një histeri e vërtetë shpërtheu menjëherë pas takimit të hapur, mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe ish-deputetit Koço Kokëdhima, i pozicionuar tashmë si një fraksion brenda Partisë Socialiste. Si kurrë më parë mediat e kontrolluara nga Edi Rama shpejtuan të hidhnin në eter një fushatë helmuese ndaj dy protagonistëve të takimit. Perceptimi që u përpoqën të krijonin, ishte me synim të dyfishtë. Nga njëra anë të paraqisnin një Kokëdhimë (që “e nxorri kokën” dhe për inat të sh-mikut të tij) si bashkëpunëtor i “armiqve” të vjetër të socialistëve, nga ana tjetër po një Lulzim Basha “tradhtar” i të tijve, që po në funksion të luftës që i ka shpallur karriges së kryerilindasit, pranon të ulet me “kundërshtarin” më të madh të Partisë Demokratike në vite. E gjitha kjo ishte një mesazh, për tu treguar “armiqve” të çdo ngjyre se Rama nuk ka ndërmend të reflektojë, apo “gjunjëzohet” sipas tyre.
Sot ra edhe gongu, që e shpalli edhe zyrtarisht krizë politike, me mos futjen e opozitës në zgjedhje. Paralelisht me këtë, po kristalizohen fuqishëm faktorët të cilëve do tu duhet mbajnë përgjegjësi, nëse vendi shket në situatë të paparashikueshme dhe nga ana tjetër ata që po bëjnë gjithçka, që ta ndalin Ramën drejt turavrapit për të shkatërruar gjithçka; edhe PS-në, edhe veten e tij.
Ka filluar të qarkullojë ditët e fundit një thashethem në rrethet e gazetarëve dhe politikanëve, sipas të cilit bashkëshortja po i lutet Edi Ramës, që të tërhiqet dhe të gjejë një gjuhë të përbashkët me frontin gjithnjë e në zmadhim që është pozicionuar kundër tij. I thotë që për të shpëtuar faqe të gjithëve egoncentrizmin e tij të sëmurë, të vishet tebdil, të maskohet dhe ashtu siç ka bërë për më shumë se 15 vite të karrierës së tij “brilante”, të kthehet natën në shtëpinë e Koço Kokëdhimës, të ulet të bisedojë e më pas të thërrasin aty edhe Ilir Metën. Pse jo edhe Shpëtim Idrizin.
Pas kësaj të përdorë atë shprehjen e tij “lapidare”; hajde biri im shkojmë të gjithë bashkë e të takojnë Lulzim Bashën dhe t’i themi se do të jemi përballë tij në zgjedhjet që po afrojnë, por duke i plotësuar të gjitha kushtet për një garë të ndershme dhe të barabartë.
Personalisht, nuk e besoj këtë “fake news” kafenesh. Në fakt ka shumë gjasa që një bashkëshorte, nënë dhe aq më shumë intelektuale të shoh realitetin më kthjellët dhe më ftohtë se koka e nxehtë e kryeministrit, të lidhur tashmë me një mijë fije të merimangës së pushtetit momental, që e lidhin fortë pas tij. Por nga ana tjetër kemi edhe një Edi Ramë që e ka treguar qartë ndër vite, se as nuk denjon të dëgjojë zërat dhe logjikën që bie ndesh me fiksimet e tij, veçanërisht kur vjen puna për karrigen pushtetore. Kështu ka bërë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, më shumë se një herë në krye të PS-së dhe natyrisht edhe më i vendosur do të jetë për të mbrojtur deri në fund dhe me çdo çmim këtë që ka. Prandaj nuk është i besueshëm ky lajm “i dalë” nga kalaja e Surrelit, sepse edhe nëse shqetësimi i zonjës Rama është tentuar të artikulohet, ai nuk ka pasur shans të mbërrijë në veshët e Ramës, i nisur qoftë edhe nga cepi tjetër i krevatit bashkëshortor, nëse ende e ndajnë në këtë situatë.
Por përtej të gjitha këtyre, më i besueshëm është një variant tjetër që gjithsesi e ka brenda edhe atë të mësipërmin; sipas të cilit Edi Ramën nuk e lënë të bëjë qoftë edhe një hap prapa, në rrugën për realizimin e një planin afatgjatë për Shqipërinë. Duke mos besuar se Rama nuk do ta ndjekë këshillën e bashkëshortes, ka arsyet të besojmë nga ana tjetër, se çfarë do t’i thoshte Kokëdhima në këtë rast hipotetik, për të mirën e tij edhe për hir të kohëve kur e ka dashur aq shumë…
‘Je kapur peng me dëshirë, biri im’
Tashmë duket se jemi vonë. Edi Rama jua ka bërë të qartë të gjithëve, edhe aleatëve në letër, se është i vendosur që të ecë me guxim të çartur në rrugën që e çon vendin drejt një sistemi të përkohshëm monopartiak, sa do që po tenton në mënyrë malinje ta maskojë atë me “pluralitetin” e Gjergj Bojaxhiut e Ben Blushit. Se ku e nga kush i ka marrë garancitë, apo kjo është ajo që ka zgjedhur në kokë të vetë së bashku me atë rreth të fuqishëm financiar të dyshimtë që e mbështet, koha do ta vërtetojë.
Nëse Rama do të futet në zgjedhje pa këtë grupim të gjerë, atëherë panorama do të jetë kjo sipas votave të vitit 2013; PS e ardhur nga një opozitë e gjatë përballë një pushteti tejet të konsumuar nga qeveria 8-vjeçare Berisha mori vetëm 713.407. Le t’u shtojmë këtyre në mënyrë të rrumbullakosur edhe 50 mijë vota nga partitë e Bamir Topit, Petro Koçit, Skënder Gjinushit, Paskal Milos e të tjerëve më modestë. Pra Rama nuk shkon dot më shumë se 800 mijë vota.
Nga ana tjetër në frontin e ri, me parti që kanë qasje të ndryshme për mënyrën se si do kryhen zgjedhjet e këtij viti, që sipas Ramës “nuk përbëjnë problem, edhe nëse nuk futen fare”, kemi këtë situatë;
PD ka marrë 528.373 vota, LSI-180.470, PR-52.168, PDIU- 44.957, PBDNJ-14.722, PDK-13.228 mijë vota. Duke llogaritur edhe parti të tjera si PAA e Agron Dukës, LZHK-ë etj, Fronti aktual AntiRamë, ka në “valixhe” rreth 900 mijë vota. Kjo është një llogari e ftohtë aritmetike, sipas situatës që shfaqet deri më sot e projektuar mbi qëndrimin e Ramës nga i cili ashtu siç u deklarua prerë në komunikimin e javës, nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai këmbëngul se nuk do të lëshojë pe për kërkesat në bllok të faktorëve të shtuar në vend dhe se fatin e tij, e vendos populli dhe jo Çadra dhe të tjerë. Pra ajo që po na thotë Rama dhe po përpiqet ti mbushë mendjen publikut është, se 800-ta është më e madhe se 900-ta; se zëri i pakicës është kushtetues dhe demokratik, kurse ai i shumicës destabilizues.
“Ti po vret stabilitetin e Shqipërisë, biri im”
Por situate është, edhe më e komplikuar. Rama nuk është pozicionuar egër vetëm përball opozitës apo të së ashtuquajturës “e djathta shqiptare”. Me një vendosmëri që po gëzon kundërshtarët e të majtës, ai po ecën me shpejtësi edhe drejt përçarjes përfundimtare të së majtës së bashkuar me aq shumë “halle”, në 1 prill të vitit 2013-të. Pavarësisht se LSI e Ilir Metës është regjistruar formalisht në KQZ për këto zgjedhje, ajo e ka deklaruar tashmë prerë se nuk do të bëhet pjesë e një farse pa opozitën zyrtare që është PD-ja dhe aleatët e saj. Një dorë të mirë në këtë drejtim po jep edhe PDIU, e cila duket se po kthehet ngadalë por sigurt, në shtratin e së djathtës.
“Ti po shkatërron të majtën dhe po vret PS-në, biri im”
Në mënyrë “të çuditshme” Rama po stimulon me një epizëm të rrallë me qëndrimet e tija arrogante dhe stoike, fuqizimin e një fronti që tashmë e ka kapërcyer opozitën dhe Liderin e saj Lulëzim Basha. Rrethimi sa vjen e ngushtohet. Ky grupim tashmë po perceptohet nga një shumicë e kthjellët, jo si një aleancë kundër karriges së Ramës dhe marrjen e pushtetit në tavolinë. Ata tashmë i kanë hedhur atij mbi tryezë, ato që të gjithë i dinë dhe ai me vetëmohim antilogjik i mohon; drogën, krimin në politikë dhe administratë, reformën zgjedhore, rrezikun për blerjen e votave nga oligarkia e korrupsionit dhe narkotrafiku, e të tjera. Këmbëngulja e Ramës për të mos e pranuar këtë realitet, veçse përforcon dyshimet dhe informacionet për planin vetëvrasës që ai ka për të ardhmen e vendit. Nëse Rama do të krijojë një parlament të pakicës së popullsisë që voton, me opozitë të klonuar dhe “hormonale” siç mund të jetë ajo e Ben Blushit dhe Gjergj Bojaxhiut, e vetmja alternativë që i ngelet opozitës aktuale është rruga. A i mjaftojnë policët e rekrutuar në këto 4 vite nga Saimir Tahiri, Ramës, që t`ja mbajë të sigurt këtë lloj parlamenti dhe zyrën e tij?
“Ti po vret veten, biri im!”
/Syri.net/