Nga Elona Meço
Është shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë për drama dhe aq më pak për tragjedi. Me shumë qetësi dhe me fare pak dashuri zgjedhjet i kanë të gjitha shanset që të mos bëhen më 18 qershor.
Por si?
Zgjedhjet në Shqipëri administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe 90 Komisione Zonale me nga 7 anëtarë, që reflektojnë përbërjen e KQZ-së në gjysmën e tyre. Kjo do të thotë se në 45 KZAZ shumicën e ka PS-LSI me 4 anëtarë, ndërsa në 45 të tjera shumicën e ka opozita, e cila është zëvendësuar me anëtarë të emëruar kryesisht nga KQZ. Me këtë formulë KZAZ-të janë funksionale dhe mund të prodhojnë një proçes zgjedhor.
Por a mund të funksionojnë KZAZ-të, nëse Lëvizja Socialiste për Integrim tërheq përfaqësuesit e vet? Jo, nuk mund të funksionojnë. Dikush mund të thotë se edhe këta zëvendësohen nga KQZ-ja. Në fakt jo, sepse LSI ka një anëtar kyç në KQZ, që bën shumicën vendimarrëse në të vetmin institucion që organizon zgjedhjet në Shqipëri. Ndoshta prej këtu buron edhe siguria e Ilir Metës, kur deklaroi më 3 prill se”nëse lidershipi i Partisë Soçialiste, nuk do t”i japë të gjitha garancitë e mundshme opozitës që ajo të jetë pjesë e proçesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni me PS, por as pjesë e një farse elektorale të mundshme”.
Nëse opozita dhe Lëvizja Socialiste për Integrim tërheqin 4 anëtarët e tyre nga KQZ, kjo do të thotë se “farsa elektorale” është 100 % e pamundur të ndodhë më 18 qershor, sepse KQZ nuk merr dot asnjë vendim me 3 anëtarë.
Është naive të mendosh se Edi Rama nuk e ka llogaritur opsionin e tërheqjes së LSI-së, por Edi Rama e ka të djegur kartën e sulmit ndaj Ilir Metës si bllokues të proçesit, sepse 4 vjet më parë PS dhe LSI së bashku kanë bërë të njëjtin veprim pak para zgjedhjeve të 2013-ës.
Por, mesa duket, Edi Rama ka zgjedhur të luajë rolin e viktimës dhe, me shpresën se viktima gjithmonë ka moralisht të drejtë, te fitojë simpatinë e publikut. Në fundin e mandatit, Kryeministri mund ta shfrytëzojë situatën për t’u shfaqur, siç i pëlqen, një Mesia i tradhëtuar nga brenda, por, ndryshe nga Mesia, Edi Rama do të bëjë gjithçka që të mos ngjitet në kryq.