Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, ku deklaroi se para pak ditësh Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kishin rënë dakord për një takim, i cili është anuluar në minutat e fundit, Basha ka reguar sot nga çadra e opozitës.
Në ditën e 52 të protestës, kreu demokrat mohon se është rënë dakord për takimin që më pas është anuluar. Ai i përsërit Ramës se është i mirëpritur të hyjë në çadrën e opozitës nëse vjen me dorëheqje.
Duke theksuar se Rama nuk mund të hyjë në çadër si i tillë, ai thekson kushtet e dialogut që kanë në fokus zgjedhjet e lira e të ndershme.
“Ka nisur si e tillë, e duhet të përfundojë si e tillë. Duhet vendosmëri që të çmontojmë të gjitha gënjeshtrat që dalin nga goja e atyre që dalin pranë tij. Gjoja ne paskemi rënë dakord për vendin dhe orën e dialogut, por opozita është tërhequr. Kujtoni se çfarë ka thënë tri ditë me rradhë: Më jep vendin dhe orën. Zgjedhjet nuk kanë nevojë për vendin dhe orën, por përkushtim për të zgjidhur krizën politike. Citojnë atë që i kam thënë që në këtë çadër të vijë me dorëheqje. Po sigurisht, shprehu dëshirën për të ardhur në këtë çadër, unë iu kërkova ta mirëpresim me dorëheqje të firmosur atë që është sot i vetmi problem. Prandaj e them dhe e përsëris, meqë dëshirën e ke shprehur shumë herë, se kjo çadër të bën xheloz se është tempull i demokracisë, eja me dorëheqje dhe të presim.
Lëri lojërat e fjalëve. Plot gjashtë ditë, ekipi negociues i opozitës ka qenë në gatishmëri për të përgatitur një dialog të mirëfilltë. Në këtë çadër nuk mund të hysh si kryeministër. Mund të hyjë si kryeministër në dialog, por do të dalë si kryeministër i dorëhequr.
Rruga e dialogut mbetet e hapur. Kjo betejë që ka nisur për interesat e qytetarëve nuk do të mbarojë kurrë. Sigurimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme duhet të jetë i fortë. Është koha të ndaj me ju vendosmërinë tonë për t’i shkuar deri në fund çdo standardi europian.
Duam dhe kërkojmë votimin elektronik, numërimin elektronik, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Si dhe garancinë e votës së emigrantëve. Këto janë detyrat. Nuk ka asnjë shans t’i besojmë autorëve të drogës dhe krimit. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë rrugë tjetër përveç qeverisë teknike me mandat të gjerë politik.”
(XH.A/SHUPLAKA)
