Ish-zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, mik ish-zyrtarit të policisë, Artan Cuku, rrëfen qëndrimin e tij për këtë vrasje mafioze, ashtu si ai e cilëson, qëndrimin e tij për veprimet e deritanishme të policisë, për kryeministrin dhe heshtjen e tij, si dhe pengun më të madh të viktimës.
Kuliçaj ngulmon që kjo ngjarje e rëndë, të cilën ai ende s’e beson se ka ndodhur, duhet hetuar në të gjitha pistat e mundshme, kryesisht në atë për shkak të detyrës dhe jo për shkak të hakmarrjes duke e lidhur me ngjarjen në Vlorë rreth 12 vite më parë:
“ Theksoj se duhen hulumtuar çështjet që ka ndjekur, kryesisht në Vlorë, në drejtim të goditjes së grupeve të narkotrafikut dhe personave, të cilët janë ekstraduar në Itali, pasi ishin në kërkim ndërkombëtar. Gjithashtu, nevojitet përqendrim total i policisë kriminale në hetimin e rastit. Prokuroria, policia dhe shërbimet e tjera duhet të bashkëpunojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.”
Në vijim të intervistës së dhënë për “Gazeta Shqiptare”, ai shprehet se veprimet e policisë në vendngjarje kanë qenë amatore dhe është manipuluar opinion publik. Sipas tij nuk duhet që çdo drejtues policie të bëjë deklarata për ecurinë e hetimit dhe të vlerësohet me kujdes çdo e dhënë e hetimit dhe duhet ruajtur sekreti hetimor, pasi në jo pak raste nxjerrja në media e të dhënave e dëmton hetimin.
“E kam të pamundur të kuptoj qëndrimin cinik të kryeministrit, i cili gjen kohë të komunikojë me deputetë trafikantë, të ftojë në takime e biseda telefonike persona me të shkuar kriminale dhe nuk bëri asnjë reagim për vrasjen e drejtuesit të lartë Artan Cuku, ngjarje e cila mund të konsiderohet mafioze dhe që ka tronditur mbarë opinionin publik. Kjo është e papranueshme.”, shprehet ish-zyrtari Kuliçaj lidhur me qëndrimin që kryeministri Rama ka mbajtur për këtë ngjarje.
Sipas tij, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, miku i tij Artan Cuku, u nda nga jeta me një peng të madh, me mendimin se do të rikthehej në Policinë e Shtetit, për t’i shërbyer me aq pasion e profesionalizëm qytetarëve: “Për fat të keq, ky fakt mbeti edhe pengu më i madh i tij, pasi edhe pse me vendim të formës së prerë nga gjykata, drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, refuzuan ta kthejnë në detyrë.”
(XH.A/SHUPLAKA)