Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar sot qytetarët shqiptarë që të bëjnë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve. Ajo u referohet këtu atyre që mund të tërhiqen nga personat që merren me plotësime aplikimesh për vizë, noterëve dhe atyre grupe njerëzish që pretendojnë se japin këshillime mbi vizat.
Konkretisht, Ambasada Amerikane njofton në lidhje me vizat e punësimit në Alaskë se nuk ekziston asnjë program i tillë punësimi. Ajo u bën thirrje qytetarëve shqiptarë mos bien pre dhe të kontaktojnë vetëm ambasadën mbi rregullat e sakta.
Njoftimi i Ambasadës Amerikane:
“Nuk më besohet që moti është ngrohur kaq shumë që tani në prill! Pothuajse më bën të shkoj me pushime në ndonjë vend më të freskët….. ndoshta në Alaskë? Siç do ta shikoni në ngjarjen e mëposhtme, ne marrim shumë kërkesa në lidhje me vizat e punësimit për në Alaskë; në fakt, një program i tillë punësimi NUK ekziston! Kini parasysh: Ambasada Amerikane nuk përkrah dhe nuk mbështet në asnjë lloj mënyre personat që merren me plotësime aplikimesh për vizë, apo noterët ose grupe njerëzish që pretendojnë se japin këshillime mbi vizat. Mos u bëni viktimë e mashtrimit – ju lutemi të kontaktoni me ne për informacion mbi rregullat e sakta dhe më të fundit mbi vizat. Dhe si gjithmonë, jeni të mirëpritur të më dërgoni pyetjet tuaja përgjatë javës!”