Ministri i Finanacave Arben Ahmetaj i shoqëruar nga kandidati për Kryetar i Bashkisë së Kavajës Klodian Shehi, kanë inspektuar sot punimet e fazës së parë të projektit në Përroin e Leshnicës.
Ky projekti parashikon ndërtimin e molit të barkave dhe jahteve të vegjël të lundrimit dhe kanalit rreth 3.2 km të gjatë që lidh qytetin me bregdetin duke i dhënë një dimension të ri zhvillimit të turizmit në zonë.
Po kështu moli i mjeteve të lundrimit do të ketë një thellësi prej 3 metrash për barkat dhe jahtet e vegjël që do të ankorohen.
“Investimi që po vizitojmë është në kuadrin e Rilindjes Urbane, një nga projektet më interesante dhe më të rëndësishme. Praktikisht bashkon bregdetin me qytetin e Kavajës nëpërmjet një moli barkash, jahtesh të vogla, me një kanal gati 3 kilometra deri në autostradë. Është një investim në fazën e parë që shkon 4 milionë dollarë dhe faza e dytë që shkon po kaq dhe urbanizon të gjithë këtë fushë që nga zona e Qerretit deri në Kavajë, duke bërë shëtitore nga të dyja anët e kanalit, të cilat mund të përdoren qoftë për këmbësorë, qoftë për biçikleta, qoftë edhe për sheshe pushimi. Në përfundim të fazës së parë do të shohim një vlerë shumë të shtuar të zonës, si destinacion turizmi, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik të zonës”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa Klodian Shehi tha se ky investim i jep qytetit gjallërinë dhe dinamikën që meriton Kajava. “Ky është një nga investimet më të bukur të gjithë periudhës së fundit dhe ne dëshirojmë ta shtrijmë edhe brenda qytetit. Me mbarimin e fazës së parë dhe me mbështetjen e Kryeministrit, shpresojmë të vazhdojmë dhe fazën e dytë të projektit në mënyrë që ky qytet të marrë rëndësinë që meriton”, tha Shehi.