Padyshim që bukurinë e shtuar futbollit ja japin edhe mbështetësit në shkallët e stadiumeve. Duhet thënë se pedhe pse e pakët prania e tifozëve shqqiptarë në ndjekjet e ndeshjeve ata që janë përpiqen të jenë mjaft aktivë.
Rreth 1 mijë tifozë, pjesa dërrmuese e tyre mbështetës të Kukësit, shprehën revoltë për arbitrimin në ndeshjen e djeshme me skuadrën e Teutës, por edhe ngacmime miqsh në fundin e ndeshjes.
“Panorama Sport” sjell të gjitha pikantet e sfidës së djeshme në Durrës, ku në epiqendër ishte gjykimi i Eldorian Hamitit.
- Kryesori Eldorian Hamiti rezulton një ters për Teutën, pasi është ndeshja e dytë radhazi që gjykon në Durrës dhe vendësit humbasin. Dje arbitri lezhjan është kontestuar gjatë gjithë ndeshjes nga tifozët e Teutës. Ajo që bëri përshtypje ishte reagimi i sulmuesit Faizal Bangal nga tribuna. Ky i fundit nuk luante për shkak kartonësh, ndërsa në momentin e penalltisë shpërtheu në italisht: “O arbitër, shko tek okulisti që të kesh shikim më të pastër. A jepet ajo penallti!”.
- Pas përfundimit të pjesës së parë, trajneri Gugash Magani është parë shumë i irrituar me kryesorin Hamiti, madje e ka ndjekur deri në korridoret e stadiumit, duke i kërkuar llogari për vendimet e tij.
- Në momentin kur Shameti po merrte ndihmën nga mjekët e skuadrës së Kukësit, Musta, i cili po bëhej gati të futej në fushë, e ka shfrytëzuar këtë pauzë për të bërë disa pasime me Kastratin, në mënyrë që të nxehej.
- Pas shënimit të golit të dytë nga Pejiç, tifozët durrsakë filluan të largoheshin nga stadiumi, duke humbur shpresat se Teuta mund të dilte me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë.
- Edhe pse ndeshja kishte rivalitet dhe shumë kartonë, në përfundim të takimit, lojtarët e Teutës kanë takuar përzemërsisht ata të Kukësit, një “fair play” që jo gjithmonë e shohim në stadiumet tona.
- Në dalje të stadiumit, Shkalla i Teutës i drejtohet Lenës së Kukësit me këto fjalë: “O xhuxh, do shkallë të japësh intervistën!”. Ndërsa mesfushori i Kukësit, që ka luajtur sezonin e kaluar me Teutën, i dha këtë përgjigje: “Ore lojtar stoli, shiko të luash ti, lëri shkallët se shkallë je vetë, por nuk po ngjitesh”.
- Edhe pse ndeshja luhej në Durrës, tifozët e Kukësit ishin më të zhurmshëm në stadium, duke mbështetur fuqimisht skuadrën e tyre.