Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrinë e Financave kanë nënshkruar memorandumin që synon uljen e përdorimit të euros.
Vendimi u mor në mbledhjen e radhës të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Në këtë mbledhje u paraqit një vlerësim mbi ecurinë financiare dhe rreziqet që mbart përdorimi i euroës për veprimtarinë e sektorit bankar. U vlerësua se veprimtaria e sektorit bankar u përshpejtua në vitin 2016, veçanërisht në drejtim të zgjerimit të investimeve në tituj, në produkte bankare dhe në kredi në lekë, mbështetur kryesisht nga rritja e mirë e depozitave dhe e kapitalit.
Në vijim të diskutimeve mbi nevojën për të forcuar përdorimin e monedhës vendase, u ritheksua rëndësia e këtij procesi për përmirësimin e efektivitetit të politikës monetare dhe uljen e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.
Për të konfirmuar angazhimin institucional në këtë proces sipas fushave të veprimit, në këtë mbledhje drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi. Krahas angazhimit, ky dokument përcakton drejtimet e përgjithshme të veprimit dhe treguesit minimalë që do të monitorohen rregullisht nga secili institucion për të vlerësuar ecurinë e procesit.
(XH.A/SHUPLAKA)