Është mbledhur sot Komisioni i Ligjeve për zgjedhjen e Presidentit.
Kryetarja e Komisionit, Vasilika Hysi deklaroi se deri më tani nuk kanë asnjë kandidaturë të paraqitur. Sipas Hysit, çdo kandidat duhet të mbështetet të paktën nga 20 deputetë. Kandidati duhet t’i nënshtrohet po ashtu procesit të dekriminalizimit.
Deputetja socialiste Hysi theksoi se raundi quhet i kryer edhe kur nuk ka asnjë kandidat të paraqitur, pra raundi i sotëm merret për i mirëqenë.
Raundi i dytë do të mbahet jo më vonë se 7 ditë nga sot.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, ka deklaruar se do të pritet opozita e cila ndodhet në bojkot, deri në momentin e fundit me synim arritjen e një kandidature konsensuale.
Zgjedhja e kreut të shtetit sipas Kushtetutës mund të bëhet me pesë raunde, ku në tre raundet e para duhet një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla, ndërsa dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
Në rast se Presidenti nuk zgjidhet në asnjërën nga raundet, bëhet shpërndarja e Parlamentit dhe shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh. Presidentit aktual Bujar Nishani i mbaron mandati më 24 korrik.
(M.D/ Shuplaka)
Discussion about this post