Një ndër fenomenet e përhapura në vend është shitja e frigoriferëve apo gomave të përdorura të automjeteve. Emisioni “STOP” tregon se importi i këtyre dy produketeve të përdorura është i ndaluar me ligj. Por kjo nuk pengon që goma e frigoriferë të tregtohen lirshëm e kudo në Shqipëri. Në kamerën e fshehtë të emisionit “STOP”, tregtarët pohojnë se këtu gjen gjithçka, “vetëm nënë e babë jo”…?! Në përgjigje të interesimit të emisionit, drejtoria e doganave thotë se kjo nuk lejohet dhe është e gatshme të bashkëpunojë kundër fenomenit…
Emisioni “STOP” zbulon se ligji për ndalimin e importimit të lëndëve ozonholluese nuk zbatohet, pasi frigoriferët e përdorur importohen në Shqipëri.
Rasti I
STOP – Si jeni? Jemi të interesuara për një frigorifer, por ato që janë të përdorura.
STOP – Këto janë të përdorura këtu në Shqipëri, apo vijnë nga jashtë?
Shitësja – Me internet. Porosit djali, vjen maunia që vijnë ato dhe shkon djali direkt.
STOP – Është i përdorur? Nga kanë ardhur?
Shitësja – Gjerman është dhe ky, por ti nuk i do shumë të shtrenjta.
STOP – Këto që merrni ju nga jashtë, i sjellin me maune?
Shitësja – Me maune vijnë. Po të rri me mbeturinat e këtushme, unë s’mbaja dyqan 50.000 lekë, biri im. Shiko c’mall kam unë.
Rasti II
STOP – Si jeni? Ne na duhet një frigorifer, por e duam të jetë i huaj, jo prodhim nga këtu.
Shitësi – Nga jashtë ka ardhur, s’e di.
STOP – Nga jashtë?
Shitësi – Po.
STOP – Çfarë prodhimi është ky?
Shitësi – Nga Gjermania kanë ardhur.
STOP – Kanë ardhur kështu, të përdorura?
Shitësi – Të përdorura, po.
Rasti III
Shitësja – Ky ka ardhur nga andej, ai është përdorur në Shqipëri.
STOP – Nga vijnë?
Shitësja – Nga Gjermania, Italia. Italia më shumë…
Rasti IV
Shitësi – Ky është grek.
STOP – Nga ka ardhur ai?
Shitësi – Nga Greqia, që të jesh në rregull. Nuk është vendi, ky është grek. Unë i sjell nga Greqia këto.
Por ky nuk është ligji i vetëm që nuk zbatohet, gomat e përdorura të automjeteve gjithashtu nuk lejohen të importohen në Shqipëri sepse përbejnë rrezik.
Rasti I
STOP – Si je? Do më ndihmosh pak me këtë… kam një makinë BMW, se s’marr vesh nga gomat.
Gomisti – 205-55-16, të përdorura apo të reja?
STOP – Të përdorura, por të jenë të mira, nga këto që i merrni ju nga jashtë, nga i merrni?
Gomisti – 35 mijë lekë.
STOP – Janë nga këto ë vijnë nga jashtë?
Gomisti – Po, po, nga jashtë.
STOP – Nga janë këto? Nga vijnë?
Gomisti – Nga andej pra, nga jashtë.
Rasti II
STOP – Ne interesohemi për dy goma, m’i ka shkruajtur burri këtu, se nuk marr vesh, por i dua të përdorura dhe të vijnë nga jashtë.
Gomisti – Po, normal, nga Gjermania i kam.
STOP – Nga Gjermania? Se na thanë që nuk ka prandaj.
Gomisti – Nonë e babë nuk gjen më , po kshu ke, të thashë t’i montoj, t’i çentroj, 75 mijë lekë.
Rasti III
STOP – Interesohem për nja dy goma.
Gomisti – Të përdorura, apo të reja?
STOP – Të përdorura.
Gomisti – Për momentin vetëm një kam.
STOP – Mirë që i duam të përdorura, por që të kenë ardhur nga jashtë.
Gomisti – Jo, ashtu s’kam.
STOP – S’ke ë?
Gomisti – Më mirë të them të drejtën, se… e di ku është problemi, po të kontrollosh nuk është se nuk gjen.
Rasti IV
STOP – Të përdorura, por i dua nga këto që vijnë nga jashtë.
Gomisti – Nga jashtë, i merr vetë çuni nga Zvicra.
STOP – Nga Zvicra?
Gomisti – Po, po! Nga Zvicra. Gjithë gomat janë nga Zvicra.
STOP – E sa shkojnë këto?
Gomisti – 80 mijë lekë çifti.
STOP – E rëndësishme është që të jenë nga këto që vijnë nga jashtë, kupton? Se na kanë thënë që s’ka më.
Gomisti – Tani, unë s’dua të të gënjej ty, ja ku i ke.
Rasti V
STOP – Interesohem për nja dy goma, por i dua të përdorura, që vijnë nga jashtë.
STOP – Gjermania? Se na thanë që nuk ka fare kështu, shyqyr që gjetëm. Këto nga Gjermania the?
Gomisti – Të gjitha, gjithë malli vjen nga Gjermania.
Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të marrë një përgjigje se si është e mundur që frigoriferët dhe gomat e përdorura importohen edhe pse janë të ndaluara me ligj. Në përgjigjen e marrë nëpërmjet një emaili, Dogana sqaron se importimi i lëndëve ozonholluese në Shqipëri, ku bëjnë pjesë frigoriferët dhe sidomos ata të përdorurit, është i ndaluar me ligj dhe kanë shprehur gadishmëri për të bashkëpunuar për çdo rast që konstatohet. Ndërsa, për sa i përket gomave të përdorura, dogana saktëson se lejohet importimi i tyre vetëm për çështje riciklimi dhe përpunimi, por jo për shitjen e tyre në treg./tvklan.al