Dy persona nga Tirana me aktivitet në biznese private dhe një nga Tepelena, po verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pronarë të mundshëm apo financues të kanabisit të gjetur dy javë më parë në tunelet e ish-rezervave të shtetit në Përmet, raporton Panorama.
Në bazë të dëshmive të marra prej banorëve të zonës në fshatin ku u gjet kanabisi në Përmet por edhe referuar tabulateve telefonike të dy shtetasve të arrestuar, prokuroria dyshon se dy sipërmarrës nga Tirana me aktivitet në pronësinë e lokaleve të ndryshme dhe pikave të basteve, mund të jenë financies të aktivitetit kriminal në Përmet.
Ndërkohë, i dyshuari nga Tepelena, mendohet se ka marrë pjesë në këtë aktivitet duke mundësuar kultivimin e kanabisit në këtë zonë, ruajtjen e parcelave dhe deri tek korrja e bimës narkotike e cila mendohet se është përpunuatr e tharë në tunelet e ish-rezervave të shtetit në Përmet.
Pas zbulimit të kësaj sasie të madhe kanabisi, Policia e Shtetit ka arrestuar disa shtetas që ishin banues në Përmet.
Asnjëri nga këta shtetas, nuk ka lidhje me kultivimin as me grumbullimin e drogës, por arrestimi i tyre raportohet se është bërë sepse kishin përdorur magazinat ku u gjet hashashi vitet e fundit.
Dyshohet se tunelet ku u gjet kanabisi janë përdorur për magazinimin e drogës që nga dhjetori i vitit 2016 e në vazhdim me qëllimin që bima të trafikohej më pas në shtetin grek.
Dëshmitë e mbledhura tregojnë se tunelet ku mbahej kanabisi ruheshin nga persona të armatosur që nuk ishin banorë të zonës. (M.D/ Shuplaka)