Kreu i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi nuk e ka mohuar sot në studion emisionit Opinion që deputeti Tom Doshi të kandidojë nga radhët e PSD-së në zgjedhjet e ardhshme në qarkun e Shkodrës.
I pyetur nga moderatori Blendi Fevziu se po qarkullon një lajm i tillë, Gjinushi nuk e mohoi duke thënë madje se është e mundshme.
“Po, është kandidaturë e mundshme, nuk është regjistruar deri më tani por është e mundshme në qarkun e Shkodrës”, -u shpreh Gjinushi.
Doshi njihet për dozat e kritikave në drejtim të Ramës dhe disa eksponentëve të Partisë Socialiste.
Kreu i PSD, Gjinushi, ka deklaruar po ashtu se në 18 qershor partitë e koalicionit të majtë do të shkojnë në zgjedhje. Sipas Gjinushit zgjedhje do të ketë patjetër pasi nuk mund të ndërrohen qeveritë dhe nuk mund të merren pushtetet pa zgjedhje.Sipas Gjinushit do të ketë përpjekje që PD të tërhiqet nga kushtet e saj, por edhe nëse nuk tërhiqet partitë do të shkojnë në zgjedhje.
“Ne nuk jemi pa opozitë. Ka shumë forca të tjera politike që janë opozitare”, -është shprehur Gjinushi.
(M.D/ Shuplaka)