Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj zbulon se ka provuar hashashin. Në një intervistë për emisionin “Me Shukin” që transmetohet në RTV Dukagjini, të Kosovës, i pyetur nëse e ka provuar ndonjëherë barin, Veliaj është përgjigjur se po, duke shokuar kështu publikun.
“Unë e kam provu, s’jam shumë krenar për këtë. Por, kjo është një gjë që e ka bërë çdo adoleshent besoj, që është rritur në Tiranë.
Por besoj që është tjetër gjë, diçka që një adoleshent e provon për kuriozitet dhe është tjetër gjë diçka një qeveri që e promovon aktivisht.”, deklaron kryebashkiaku i Tiranës.
Më tej ai është shprehur se zgjidhja nuk do ishte legalizimi në Shqipëri, por legalizimi në Itali.
“Unë them se problemin e hashashit në Shqipëri, do ta zgjidhte legalizimi në Itali sepse kjo është kërkesë-ofertë, përderisa vazhdon një kërkesë të madhe në një vend që e ka ilegal, do të ketë gjithmonë një ofertë. Nuk jam për legalizim në Shqipëri, se ne nuk menaxhojmë dot eksesin.”, shton Veliaj. (D.D/Shuplaka)