Diplomati Besnik Mustafaj në rubrikën “Opinion”, komentoi vizitën e nesërme të zyrtarëve të PPE në Tiranë.
Sipas tij, këta zyrtarë duhet të kenë një platformë të qartë në mënyrë që t’i vijnë në ndihmë zgjidhjes së krizës, në të kundërt këto takime rezultojnë të mos jenë produktive.
“Nëse vijnë me dosjen bosh, atëherë këto takime janë të pamjaftueshme”, u shpreh ai.
Mustafaj thotë se më shumë gjasa zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk do të mbahen. Ai tha se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës lënë të papërfaqësuar gjysmën e shqiptarëve.
“Ndonëse afati për regjistrimin e koalicioneve ka mbaruar, partitë kanë ende afat për t’u regjistruar. Unë besoj se edhe vetë mazhoranca e di që nuk do të bëhen zgjedhjet në 18 qershor. Ju thoni se ka edhe zëra brenda PD që deklarojnë se tashmë kjo forcë politike duhet të ishte në fushatë. Kjo është logjike. Do të ishte në fushatë nëse do të ishte zgjidhur kërkesa e saj kryesore. Kjo është një tezë hipotetike, jo e mbështetur mbi zhvillimet e muajve të fundit. Unë nuk dua të bëhem “gjykatësi” nëse PD humb më shumë apo fiton më shumë, mendoj se nëse protesta mbyllet pa rezultat, PD është totalisht e shkërmoqur. Nëse bëhen zgjedhje pa opozitën, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Nuk mund të qeveriset Shqipëria nga një qeveri ku minimumi 40 % e opinionit publik është e papërfaqësuar”, tha ai.
“Kjo nuk sjell dobi. Zgjedhjet formale nuk mund të kenë dobi”,-vazhdoi ai. (M.D/ Shuplaka)