Emisioni investigativ ‘BOOM’ publikon një rast flagrant të pagesave të punonjësve në Postën e Elbasanit që paguhen si agjentë postarë, ndërkohë që punën e kryejne si postier me kohë të plotë. Përmes dokumentave, këta punonjës faktojnë se në Drejtorinë e Tatimeve figurojnë me një pagë të deklaruar prej 22 mijë lekësh, ndërsa prej tre vitesh atyre i kalon në bankë një pagesë që varion nga 5 mijë deri në 11 mijë lekë. Po rasti më i rëndë shënohet në kohën e zgjedhjeve të 2015 kur janë paguar 25 mijë lekë nga llogaria personale e Drejtoreshës së këtij institucioni.
“BOOM” denoncoi mbrëmjen e sotme skandalin në Postën e Elbasanit.
Një pjesë e punonjësve prej tre vitesh nuk paguhen me pagën prej 22 mijë lekësh që deklarohet tek Drejtoria e tatim-taksave. Pagesa e tyre mujore që tërheqin në bankë varion 8-11 mijë lekë.
Drejtoresha e Postës së Elbasanit e justifikon pagesën minimale me faktin se ata janë agjentë postarë me orar të reduktuar, ndonëse kontrata e tyre e punës nuk e ka të specifikuar as orarin dhe as pagesën mujore.
Drejtoresha e filialit të Postës së Elbasanit nuk jep hollësi se pse në Tatime paga e tyre deklarohet 22 mijë lekë dhe pse atyre ju mbahen nga 6 mijë lekë sigurime.
Por ka dhe një fakt tjetër që e rëndon situatën. Momenti kur nga llogaria e saj në emër të punonjësve në kohën e zgjedhjeve të vitit 2015 janë derdhur pagesa mujore 25 mijë lekë.
Nga një vëzhgim i ‘BOOM’, rezulton se një agjent postar punon më shumë se 8 orë në ditë dhe duhet të ecë rreth 30 km rrugë në këmbë.
Një fakt ky që rrëzon pretendimin e Drejtorisë së Elbasanit se ata punojnë me kohë të pjesshme.
Dhjetra punonjës të Postës së Elbasanit kanë refuzuar të nënshkruajnë kontratën evazive e cila nuk specifikon orarin e punës, pagesën mujore dhe as ditët e pushimit.
Për më tepër që janë thirrur të firmosin në 2017 një kontratë të vitit 2016.
Metan Tafani: Nga viti 2014 e në vazhdim mua më është ulur rroga. Takoj Drejtoreshën, Klaudia Krasnika, më thotë se nuk kemi çfarë të bëjmë. Po të pëlqeu, po nuk të pëlqeu ik. Shkuam tek Credins Bank dhe morëm këto vërtetimet, këtu rezulton 83 mijë lekë. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, kërkojmë të drejtën tonë. Ku shkojnë këto lekë? Kush i merr? Se qeveria thotë se rroga nën 220 mijë lekë nuk ka në Shqipëri. Ku shkojnë këto lekë? Ne iu drejtuam emisionit tuaj të na jepni rrugëzgjidhje.
Lefterie Paja: Kam tre vjet që kam filluar punë tek Posta. Kur kam filluar në fillim, tre muaj tha se do të punosh si agjente. Firmos kontratën, bëj punën e postierit, ndaj postën e përditshme, ndaj faturat e telefonave, kam edhe 10 kabina të elektrikut. Filluam të bëjmë ne këto denoncimet, erdhi dhe na thirri Sekretarja, firmos kontratën e 2016 pa vënë pagesa. Tha, vini firmat këtu. I thashë, prit ta lexoj.I thashë ku është pagesa këtu? Mirë, tha, shkruaje refuzoj. I thashë si ta shkruaj refuzoj, kur bëj gjithë këto punë. Punën e bëj. Kam 350 biznese që ndava letrat nga bashkia.I thashë çfarë jam unë, marr me kembë të gjithë Cerrikun. Ne do të kërkojmë të drejtën tonë. Këtë llaf na thanë, po deshët, po nuk deshët hapni krahun se vjen dhe tjetri me 50 mijë lekë. Por familja me 80 mijë lekë nuk mbahet. Duam të na jepet djersa jonë, ku vete ky leku jonë? Se bëjmë punën e postierit dhe paguhemi për agjenta.
Bes Malja: Më bënë një kontratë 84 mijë lekë fillimisht për tre muaj dhe pastaj më thanë do të shikojmë. Pas kësaj kontrate nuk kam firmosur asnjë kontratë tjetër, por gjithmonë me shpresën se do të më ngrihet rroga. Kam vajtur herë pas here në Drejtorinë e Elbasanit, i kam kërkuar pse të mos bëhem me rrogë. Më kanë thënë presim urdhër nga Tirana. Shkoj tek Tatim-Taksat e Tiranës dhe shikoj që atje figuronte rroga ime 220 mijë lekë, ndërkohë që unë merrja 83 mijë lekë. Kjo më duket një tallje. Para ca ditësh na thirrën për të firmosur një kontratë të 2016 dhe ne nuk e firmosëm. E refuzuam sepse nuk kishte kuptim që të firmosej kontrata e 2016 kur ne jemi në 2017 tani. I thashë dua kontratën e 2017 dhe të jetë me pagën që është deklaruar.
Sa orë në ditë punon një postier?
Pas ankesave të këtyre punonjësve për tejzgjatje të orëve të punës dhe duke mos i ofruar asnjë lehtësi nga Drejtoria e Postës së Elbasanit, emisioni ‘BOOM’ ka bërë një vëzhgim sesi është një dite pune për një postier.
‘BOOM’ kontaktoi me zotin Metan Tafani, i cili është punonjës i Postës prej 36 vitesh dhe mbulon gjithë Bashkinë e Belshit.
Dita e tij e punës fillon në 06:56 minuta, duke bërë dorëzimet e një dite më parë dhe duke marrë letrat që do të ndante atë ditë.
Vështirësia e parë është se ai merr kutinë me letra në dorë dhe pret një furgon të rastësishëm për në Belsh, shpesh i duhet të presë edhe me orë, pasi shoferët e shikojnë që ka ngarkesë dhe nuk ndalojnë për ta marrë.
Pasi hipën në furgon, bën 20 km deri në Belsh, ku firmos për letrat e marra dhe fillon shpërndarjen e tyre.
Largesia e fshatrave nga njëri-tjetri është 2 km, 6km, 8 km por ka edhe raste kur bën 10 km në këmbë.
Në diell, shi apo të ftohtë, rruga nga fshati në fshat bëhet në këmbë.
Problem është edhe mungesa e adresave në fshat, pasi personave që u dorëzohet posta kanë si orientim vetëm fshatin ku banojnë.
Në fund të vëzhgimit, konstatuam se zoti Metan Tafani ka punuar 8 orë e 15 minuta dhe ka përshkuar 30 km rrugë në këmbë.
‘BOOM’ në Postën e Elbasanit
Drejtoresha e Postës në Elbasan thotë se kjo pagesë bëhet pasi këta punonjës janë me kohë të pjesshme dhe sipas saj punojnë 4-5 orë në ditë.
Klaudia Krasnika: Bëhet fjalë për punonjës me kohë të pjesshme të Postës Shqiptare, paga e të cilëve llogaritet mbi pagën minimale e cila është vendosur nga Këshilli i Ministrave, mbi të cilën mbahen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimi në bazë të ligjit shqiptar që është në fuqi dhe punonjësit paguhen për pagën orare të cilën punojnë gjatë kohës që kryejnë shërbimin e Postës Shqiptare.
Gazetarja: Në kontratë, këta persona sa orë punojnë?
Klaudia Krasnika: Nuk kanë një orar të përcaktuar në kontratë, në bazë të punës dhe një grupit të punës që është ngritur, mesatarishit këta punonjës punojnë 4-5 orë në ditë.
Gazetarja: Ne pamë që sigurime shoqërore u mbahen pak a shumë 60 mijë lekë, kjo e llogaritur me pagën 220 mijë lekë, jo me pagën që këta marrin realisht rreth 100 mijë lekë.
Klaudia Krasnika: Ligji shqiptar ka një pagë minimale të vendosur nga Këshilli i Ministrave, 22 mijë lekë dhe nuk dalim dot në asnjë moment jashtë kësaj kornize. Jemi të detyruar që sipas ligjit, që ne kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat t’ua mbajmë sipas ligjit në fuqi.
Gazetarja: Një pretendim tjetër i tyre është se nuk kanë kontratë pune. Nga ana juaj, është gatishmëria që ata të vinë dhe të lidhin një kontratë pune?
Klaudia Krasnika: Jemi të hapur që ata të vinë ta tërheqin në çdo moment, gjithashtu dhe për kontratën e re që deri më sot kanë refuzuar ta firmosin, por kanë pranuar të paguhen dhe të kryejnë shërbimin e Postës Shqiptare.
Gazetarja: Kemi një zonjë që në datën 08.05.2015, kanë qenë zgjedhjet, ka marrë 250 mijë lekë, si kurrë më parë. Përpara ka marrë 80 mijë lekë dhe thuhet derdhje nga Klaudia Krasnika. Pse kjo derdhje në emrin tuaj dhe jot ë Postës?
Klaudia Krasnika: Nuk kam asnjë lloj arsyetimi për këtë.
Ja kontrata e punës për agjentët
Kjo është kontrata e punës për punonjësit që Posta Shqiptare i konsideron agjentë. Kontrata përmban vetëm ditën kur është lidhur dhe jo kohëzgjatjen e saj dhe nuk përcakton orët e punës dhe pagesën.
Pretendimi nga ana e Drejtoreshës se punonjësit janë me kohë të pjesshme bie poshtë për më tepër që është kontratë e vitit 2014.
Gazetarja: Nga një vëzhgim i “BOOM” ka rezultuar se punonjësi i postës ka marrë punë në orë 7 dhe e ka lënë në 3 e 20.
Klaudia Krasnika: Unë jam e hapur që brenda kompetencave të mia por dhe me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të ngremë një grup i cili të rishikojë orarin e punës së punonjësve dhe pse jo jemi të hapur për të ndërtuar një marrëdhënie që të jetë sa më korrekte ndërmjet nesh dhe punonjësve tanë. Jemi shumë të gatshëm për të mos i ngrënë hakun askujt për atë punë që bën dhe për tu paguar për atë çka ai i sjell Postës Shqiptare të ardhura por edhe për kohën që ai shpenzon dhe lodhjen e tij fizike.
Gazetarja: Si mund të ndryshojnë gjërat?
Klaudia Krasnika: Me ngritjen e një grupi për testimin dhe matjen e orëve të punës të këtyre punonjësve me kohë të pjesshme, mendoj se do të dalim në një rezultat. Nëse këta punonjës të cilët pretendojnë që kjo hapësirë kohore është më gjatë se 4,5 apo 6, se ka pasur raste që janë paguar dhe për 6 orë, të vihen në listë prezencën aq orë sa personi punon dhe të paguhen për atë që punojnë. Meqenëse i hamë kohë nga një vend në vendin tjetër, Drejtoria e Përgjithshme të marrë masa me aq sa mundet për ti vënë dhe mjete në dispozicion punonjësve të cilëve u shkurtojnë kohën për shërbimet që ata kryejnë.
Tek Posta e Cërrikut, punonjësja tregon një dokument të cilin ajo e merr në dorëzim dhe e shpërndan por në letër shkruhet se shpërndarësja është një zonjë tjetër që aktualisht është kryetarja e zyrës postare.
Lefterie Paja: Kjo është letra që ne marrim letrat nga posta. Unë jam postierja, kurse këtu shkruhet shpërndarësi kryetarja e zyrës sonë. Edhe pse i shpërndaj unë këtu emri i shpërndarësit njihet Migena Ukthaçi. Kurse këtu tek postierja njihem unë. 8 orë në zyrë rri ajo. /oranews/