Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri gjatë fjalës sot në kuvend komentoi edhe lajmin në publikuar në media për konfliktet e kompanisë shtetërore Albpetrol me subjektet private që mbanin me koncesion fusha naftëmbajtëse mes të cilave dhe atë të Amonicës.
“Të paktën tek nafta, ne kemi një ndërmarrje shtetërore, e cila nëse do të dështonte një investitor privat do të kishte mundësi, siç ka bërë edhe në rastet e fundit që ta rikthente asetin tek shteti. Pas dështimit të shumë koncesionarëve në fushën e naftës, u janë marrë asetet nga shteti dhe Albpetroli sot po i operon. I referohem këtu edhe marrëveshjes së Stream Oil apo edhe Amonicës”, u shpreh Gjiknuri.
Më tej ai u ndal edhe tek shkaqet e dështimit të kompanive koncesionare në këto vendburime që tanimë janë rishtetëzuar duke ja marrë privatit nga kontrolli.
“E kam thënë, i kanë marrë njerëz të papërgjegjshëm, individë që nuk kanë lidhje fare me kompani serioze që mund të investojnë në fushën e naftës apo të minierave. I kanë marrë, kanë dështuar, thjesht kanë vjedhur naftën apo mineralin dhe kanë dështuar me detyrimet. Kanë krijuar borxhe edhe ndaj punonjësve që nuk i kanë paguar, borxhe të mëdha ndaj tatimeve por edhe ndaj strukturave të tjera të shtetit siç është Albpetroli. Për këto arsye, nisur nga ekskluziviteti që kanë pasuritë kombëtare, autoritetet siç në rastin konkret është Albpetroli i kanë marrë këto fusha në administrim sipas legjislacionit shqiptar dhe në interes të qytetarëve. I ka marrë shteti dhe nuk i ka marrë ndonjë privat sepse shoh që ka edhe spekulime në këtë drejtim. Janë marrë nga privati që i ka falimentuar dhe i kanë kaluar shtetit. Kështu do të veprojmë me çdo marrëveshje që dështon. Kjo, në mënyrë që nesër nëse do të rihidhen në ankand të kërkohen investitorë strategjikë që investojnë dhe zhvillojnë këto vendburime”, nënvizoi Gjiknuri.
(J.V/Shuplaka)