Të tjera urime vijnë për zgjedhjen e kreut të LSI-së Ilir Meta, si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili vetëm një ditë më parë u kthye në Kosovë pasi ndenji për katër muaj në Francë, ku u arrestua për shkak të disa fletëarresteve serbe, të lëshuara që në vitin 2004.
Haradinaj shkruan: “I dashur Ilir, Urimet më të mira për zgjedhjen tuaj President i Republikës së Shqipërisë! Jam i bindur se Ju do të punoni me përkushtim në zhvillimin dhe avansimin e Shqipërisë si dhe në mbrojtjen e interesave shtetërore, por edhe kombëtare të shqiptarëve kudo që janë. Mbetem me shpresë poashtu se zgjedhja e Juaj, do të kontribuojë edhe në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë! Poashtu shpreh mirënjohjen time për punën e shkëlqyer të Presidentit Nishani!”
Ndërkohë, një tjetër urim vjen nga i pari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka vlerësuar që Meta do të kontribuojë në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
“Me kënaqësi të veçantë e mirëprita zgjedhjen tuaj në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në emrin tim dhe të NISMA për Kosovën ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për detyrën tuaj të re.
Shpreh bindjen time të plotë se me eksperiencën e gjerë që gëzoni ju, do të kontribuoni në forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit. Po ju shpreh urimet e mia më të mira për veprimtarinë e ardhshme tënden plotë përgjegjësi” shkruan Fatmir Limaj.
Ndërkohë pak më parë, edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehu urimet për homologun e tij të ri, i cili do të betohet më 24 korrik. (D.D/Shuplaka)