Kryetari i ri i parlamentit maqedonas, Talat Xhaferri, është takuar së fundmi me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee.
Mediat vendase shkruajnë se në takimin me të, Xhaferri është shprehur se nuk di të tërhiqet, por do të vazhdojë në rrugën e tij si kryetar kuvendi, pavarësisht përpjekjeve për destabilizimin e vendit.
“Ai edhe njëherë e konfirmoi përkrahjen për kryetarin e ri të Kuvendit dhe gatishmërinë që janë të gatshëm ta japin në hapat e radhës në punën e institucioneve tjera. Nga ana jonë, i garantova miqtë tonë se unë si kryetar i Kuvendit do të përpiqem që të jem kryetar i Kuvendit të gjithë deputetëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe politike. Prej nesër e më tej do të përpiqem ta vendos në funksion punën e Kuvendit, pavarësisht pasojave të shkaktuara në Kuvend”, deklaroi kryeparlamentari Talat Xhaferri, raporton “Shenja”.
Në takim u fol mbi nevojën e stabilitetit dhe kthimin e Kuvenit dhe institucioneve të tjera të vendit në funksion, sa më shpejt të jetë e mundur.
(XH.A/SHUPLAKA)