Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar ashpër kundër partive që janë tashmë të rregjistruara në zgjedhje, duke thënë se ato paraqesin vetëm një subjekt zgjedhor, atë që është ende në pushtet.
Pavarësisht se kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta ndryshojë datën e zgjedhjeve, Basha shprehet i bindur se këto zgjedhje nuk do të bëhen pa një qeveri teknike.
“E vërteta e thjeshtë është se për votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor: koalicioni i 2015-ës që është ende në pushtet. Madje edhe koalicioni nuk është i plotë, pasi disa bishta mbetën rrugës, në pazare e sipër.
Tani, ky subjekt i vetëm po përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe të huajve duke u shtirur sikur janë 17 subjekte. Por është një dhe vetëm një: koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij.
Por shqiptarët nuk mashtrohen. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, në asnjë formë. Sot nuk mund të përsëritet dot më skema e Ramiz Alisë, që pretendoi zgjedhje “pluraliste” me Partinë e Punës, Frontin Demokratik e Bashkimin e Grave, deri sa studentët, intelektualët dhe qytetarët e Lëvizjes së Dhjetorit e ndalën maskaradën e tij. Shqiptarët e kanë lënë pas diktaturën dhe do dinë të mbrojnë pluralizmin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë.”, shprehet Basha. (D.D/Shuplaka)