Kandidati socialist për kreun e bashkisë së Kavajës, Klodian Shehi ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje nga ana e tij për garën e së dielës, më 7 maj. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Shehi u shpreh se ai do të vijojë projektet për bashkinë dhe u bën thirrje qytetarëve të Kavajës që të shkojnë të qetë në votimet e së dielës. Madje ai shprehet se i ka dëgjuar zërat se mund të largohet nga ky kandidim po sipas tij asgjë nuk është e vërtetë.
Edhe përsa iu përket tubimeve të parashikuara nga opoaita në 7 maj për zgjedhjet në Kavajë, ai u shpreh se “këto probleme janë vetëm probleme të tensioneve politike, të cilat kërkohet të përçohen nga Tirana drejt qytetit të Kavajës”.
INTERVISTA:
Zoti Shehi, a është kandidimi juaj për kryetar bashkie në Kavajë një betejë e vështirë, duke pasur parasysh që ish-kryetari Elvis Rroshi është akuzuar për probleme me drejtësinë? Një gjë e tillë, a ka ndikuar te qytetarët?
Unë nuk e mendoj si betejë, por si një angazhim para qytetarëve të mi.
Keni dalë në këtë garë me projekte të reja apo me ato që janë në vazhdim?
Ka projekte që janë në vazhdim tashmë, por do të ketë edhe projekte të reja, sepse Bashkia e Kavajës ka një staf, i cili punon me dinamizmin e duhur.
Si është situata apo gjendja e qytetarëve të Kavajës? Si ju presin ata në takimet që ju keni çdo ditë?
Klima në Kavajë është e qetë, klimë e një qyteti të cilit i ka ndryshuar fytyra, sepse ka 6 vite që punohet. Tashmë është në drejtimin e duhur për sa u takon reformave dhe ndryshimeve që qyteti apo bashkia e madhe pëson dita-ditës.
Ju deri tani jeni drejtues i Bashkisë së Kavajës dhe nuk e keni për herë të parë. Çfarë të rejash do sillni?
Të rejat do të jenë në bazë të investimeve që Bashkia e Kavajës ka marrë përsipër të bëjë, krahas ndryshimeve që një qyteti i duhen çdo ditë, siç janë ndryshimet në infrastrukturë, investime në bujqësi e shumë të tjera, për të cilat ky qytet ka shumë nevojë.
Keni një projekt që do ta zbatoni të parin sapo të merrni mandatin?
Prioriteti kryesor që ka bashkia është që këtij qyteti t’i kthehet tradita e një qyteti bregdetar, ku turizmi shqiptar apo turizmi i huaj të gjejë në Kavajë atë çka meriton. Investimet në bujqësi janë një tjetër prioritet i ynë dhe që janë investime që ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e banorëve të zonës së Kavajës. Kavaja ka shumë investime për të bërë në këto zona.
Prej ditësh ka zëra që ju do të tërhiqeni nga kandidimi. Opozita do të bëjë një protestë ditën e diel në Kavajë për të ndaluar zgjedhjet. A ka një vendim tuajin për tërheqje?
E kam dëgjuar edhe unë këtë. Shpeshherë kam pasur edhe telefonata nga miqtë e mi, por realisht nuk qëndron asgjë. Nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këtë.
Pra, ju hidhni poshtë mundësinë që në protestën e së dielës të ketë probleme?
Nga informacionet që kam marrë dhe nga takimet që unë kam përditë me qytetarët në Kavajë, marr vetëm një përshtypje që këto probleme janë vetëm probleme të tensioneve politike, të cilat kërkohet të përçohen nga Tirana drejt qytetit të Kavajës.
Zoti Shehi, në këtë klimë që po mbizotëron këto ditë, a i druheni faktit që Kavaja mund të bëhet një qytet konflikti më 7 maj dhe kjo situatë të shpërndahet në të gjithë vendin më pas?
Unë nuk i druhem asaj për çka ndiej dhe shoh në qytetin tim. Unë nuk i druhem asgjëje dhe askujt, por do të doja t’u bëja një thirrje qytetarëve të mi që të tregojnë qytetari, ashtu siç kanë treguar përherë qytetarët e Kavajës. Po ashtu u bëj thirrje partive politike që të mos e përdorin Kavajën si lodër për to.
(J.V/Shuplaka)