Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama, për t’u tërhequr nga zgjedhjet për bashkinë e Kavajës. Boçi e krahason kryeministrit me Elvis Roshin, të shkarkuarin nga detyra e kryebashkiakut të kësaj partie.
“Megjithatë Rama shoku Roshit është!
Nuk është çudi që nesër sikurse ai dhe ky të japë dorëheqje nga dorëheqja!!!
Ky s’e ka pêr gjë.
Vemendje!!!”, reagon Boçi.
Lajmin për tërheqjen nga gara e bëri me dije vetë kryeministri, i cili deklaroi: “Kavaja nuk do të bëhet sheshi për përsheshin, unë do t’i sugjeroja kandidatit tonë të tërhiqej. Po ashtu edhe kandidatit tjetër të pavarur. Kjo është për të luajtur gurin e fundit, deri në 7 maj do të përpiqem që ta bind PD që të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.”
Ky lajm u konfirmua edhe nga kandidati i pavarur i PS-së Klodian Shehi, por edhe nga kandidati i pavarur Astrit Haka, i cili gjithashtu është mbështetës i PS-së. Të dy këta pak orë më parë lajmëruan se heqin dorë nga kandidatura për zgjedhjet.
Ndërkohë, kreu i PD-së Lulzim Basha në çadrën e opozitës paralajmëroi një marshim gjigand në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, gjatë javës së ardhshme.
“Ultimatumet e Republikës së vjetër i refuzojmë, ose bashkojuni Republikës së Re, Republikës së Lirisë, zgjedhjeve të demokracisë së vërtetë, ose përballuni me marshimin më të madh të qytetarëve javën e ardhshme në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci nuk sprapset kurrë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme para drogës dhe krimit, preferojmë dialog por vendosëm të marshojmë paqësisht drejt zgjidhjes, kjo është rruga e Republikës së Re, Shqipërisë në Europë. Zoti e bekoftë Kavajën, zoti e bekoftë Shqipërinë, zoti i bekoftë shqiptarët, fitore.”, deklaroi Basha. (D.D/Shuplaka)