Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, ka folur për zgjedhjen e Ilir Metës si president.
“Unë mendoj se Presidenti i ri u zgjodh në një moment thellimi krize. E kam theksuar dhe e theksoj nuk kishte opozita pretendime për postin e Presidentit, por vendi kishte më nevojë se kurrë për një proces në zgjedhjen e Presidentit, siç është bërë katër vite më parë me zgjedhjen e Nishanit, pa patur probleme të tilla madhore krize.
Në mendimin tim ka pasur prej kohësh një marrëveshje të vendosur që postin e Presidentit ta kishte LSI-ja, ndonëse pranoj që mazhoranca i kishte votat dhe mundësitë për ta zgjedhur Presidentin dhe opozita e sigurt, nuk kishte pretendime për postin e Presidentit. Por, këtë vit, më shumë se kurrë ky proces duhet të ofrohej si një proces negocimi, dialogu për të bërë një hap real më tej në zgjedhjen e krizës. Në këtë kontekst, unë e kam shprehur se kjo zgjedhje vetëm sa thellon më tej krizën dhe për mua kjo përbën një problem serioz.
4 vite me radhë, sidomos 3 të parat, Edi Rama bëri një betejë të paimagjinueshme për eliminimin e Ilir Metës në të gjitha mënyrat, me qëllimin e vetëm për të marrë LSI, e cila për hir të së vërtetës i nxjerr Edi Ramës telashe shumë të mëdha. Pasi dështoi në këtë përpjeke, e vërteta është se Meta ia ktheu reston çdo ditë atij, nuk la rast pa e goditur për çështjet më madhore, qoftë për reformën në drejtësi qoftë dhe për vështrimin e krizës, të cilën ai e parandjente, që një krizë e thellë po duket në horizont dhe kërkonte zgjidhjen e saj.”, tha Berisha. (D.D/Shuplaka)