Data 13 maj do të bëjë bashkë protestën e paralajmëruar të Partisë Demokratike dhe marshimin e LGBT-së. Lajmi bëhet i ditur nga vetë organizatorët e LGBT-së, të cilët kanë njoftuar mbajtjen e një parade me biçikleta.
Mësohet se marshimi i komunitetit të LGBT-së do të nisë në orën 10:00 në rrugët e kryeqytetit, ndërsa protesta e opozitës është caktuar të nisë në mesditë, në orën 12:00.
Për shkak të këtyre dy aktiviteteve, organizatorët e komunitetit janë takuar me strukturat e larta të Partisë Demokratike, të cilët kanë dhënë garanci se nuk do të ketë incidente apo kërcënime.
“Ky takim u zhvillua në një frymë bashkëpunuese. Gjatë takimit aktivistët LGBTI morën garancinë direkte nga kryetari i Partisë Demokratike Z. Lulëzim Basha se nga ana e mbështetësve të opozitës nuk do të ketë asnjë incident apo kërcënim për mbarëvajtjen e sigurt të këtij aktiviteti. U ra dakord që orari më i përshtatshëm për zhvillimin e paradës të jetë ora 10:00, ditën e shtunë 13 Maj.
Është e rëndësishme të kuptojmë se hapësira publike na përket të gjithëve dhe askush nuk mund të ndalojë të drejtën themelore të njeriut për t’u organizuar dhe për t’u shprehur.
Ju njoftojmë gjithashtu se në këtë paradë do të marrin pjesë aktivistë LGBTI nga i gjithë rajoni, mbështetës, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI nga Shqipëria si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri”, citohet në njoftimin e LGBT-së.
(XH.A/SHUPLAKA)