Teksa ka vazhduar fjalën e tij në Kongresin elektoral të PS-së në Durrës, kryeministri renditi arritjet e qeverisë në dhjetëra sektorë, duke vlerësuar punën në shëndetësi, arsim, ekonomi, në Policinë e Shtetit.
Duke folur për këto arritje, kryeministri zbuloi edhe pak detaje nga takimi me kundërshtarin politik, Lulzim Bashën, në një prej takimeve që pati më të. Konkretisht për çështjen e kanabisit dhe zgjedhjet e 18 qershorit.
Ai mësohet t’I ketë siguruar Bashës se ky mandate do të shënojë fundin e kanabisit, si dhe e ka siguruar se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, pavarësisht përpjekjeve të opozitës për moszhvillim të tyre.
“Një plakë më tha: “Ah mor bir këtë vend e ka bërë zoti për telha, por nuk e le robi të ngrejë kokën”. Ja pse ky mandat ishte një stërmundim i madh, për të nisur me çerekshekulli vonesë. Na u desh reformë në ekonomi, në arsim, shëndetësi, në pensione. E gjitha kjo për të bërë një Shqipëri moderne, demokratike, funksionale, për të garantuar mirëfunksionimin e shtetit në çdo sektor, për të bërë atë që kemi detyrim. Imagjinoni sot për një moment, sikur më 18 qershor të ktheheshim prapë, për një muaj do hapeshin prapë univeristetet që ne mbyllëm, do merreshin telat e dritave për të vjedhur. Me shtyrjen e reformave do digjej dhe një gjeneratë. Gjenerata me numrin më të madh të juristëve në glob, në vendin me drejtësinë më të korruptuar në planet. Operacione të dhimbshme, metastada të përhapura të korrupsionit në çdo organ jetik.
Rritje më të madhe të numrit të bizneseve, taksë zero për biznesin e vogël, lista të rimbursueshme të ilaçeve, zerimin e kamatvonesave, mund të vazhdoj pa fund. E di që nuk mjaftojnë, e di që njerëzit nuk kanë. I kam thënë një milion herë ministrit të Financave “Mos përsërisni statistika, vetëm statistika”. Unë nuk them që Shqipëria që kemi është e mjaftueshme për të duartrokitur PS. Por kjo Shqipëri me atë të 25 viteve, është për të krahasuar natën e thellë me agimin e ditës. Të gjithë ata që rrudhin buzët, të krahasosh Spitalin Nënë Tereza më parë me atë që është sot, është të krahasosh një palë opinga të ’44-ës me këpucët që prodhohen sot.
Të pickonte akrepi në Llogara, duhet të vije në Tiranë bashkë me akrepin… Kush e mendonte tre vite më parë se helikopteri mund të ngrihej për njerëzit e zakonshëm dhe jo për vipat. 2479 misione të suksesshme shpëtimi në të gjithë qarkun e Tiranës.
Le të thonë çfarë të duan, të shpifin, le të bërtasin. Falë lidershipit shembullor, Linditës, arsimi hyri në një rrugë që askush nuk do të guxonte ta bënte më parë.
Atyre iu ka mbirë kanabisi në gojë, vërejini me kujdes. Sa e hapin gojën e kanë jeshile. Nga një institucion i marrë fund, që ishte katandisur në një zhele. As e mbulojmë dot plagën e kanabisit. Po iu them një detaj, çfarë i thashë Lulzim Bashës në takimin që patëm. I thashë: “Mos u lodh, se ky vit është epilogu i luftës sonë me këtë fenomen. Jo vetëm Shqipëria, por edhe Policia e Shtetit do dalë më e pastër.” Do jetë problem se ata këtë vit nuk do jenë as në parlament. Ambicia ime është ta bëjmë Policinë e Shtetit në 8 vjet një polici me performancë mesatare me atë të Bashkimit Europian.
Faleminderit Vangjush, të të marrin të keqen.
Çfarë i thashë tjetër Lulzimit: Harroje, 18 qershori nuk preket, 18 qershori është i njerëzve të zakonshëm. Është për të mbyllur kapitullin e vjetër dhe nisur kapitullin e ri. 18 qershori është dita për të çliruar Shqipërinë nga zinxhiri inekzistent i korruptuar.
Tek bunkeri i plasmasit ata mbrojnë veten dhe i thonë të papunëve “Hajde të protestojmë”. Shikoni se sa shumë janë përqëndruar të flasin para njerëzve për të shkuarën. Nuk kishte mënyrë më shembullore për ta mbyllur historinë e tyre.
Ju betohem me të njëjtin vizion për Shqipërinë do të luftojmë më shumë për të arritur suksesin, mirëqënien.”, u shpreh Rama.
(XH.A/SHUPLAKA)