Kryeministri Edi Rama para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, ka deklaruar se planifikon ndërtimin e një aeroporti të ri në qytetin e Vlorës.
Këtë e ka deklaruar disa herë nëpër takimet e tij me të rinjtë që votojnë për herë të parë, si edhe gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së. Ndërkohë sot, në rubrikën e tij “Amarcord” kujton se në mesin e viteve ’20, kryeministri mund të bënte vajtje ardhje nga Tirana në Korçë, me linja të brendshme ajrore.
“AMARCORD
Në mesin e viteve ’20, Kryeministri i kohës mund të bënte vajtje ardhje Tiranë-Korçë me linja të brendshme ajrore, siç e dëshmon kjo foto, ku njerëzit duken të mbledhur në aerodrom, jo për të pritur ceremonialisht kreun e qeverisë, por për të marrë avionin e kthimit.
Krijimi i një kompanie ajrore kombëtare, premisat e së cilës u shfaqën dje fuqishëm dhe infrastruktura që ajo do të ketë si prurje parësore, do ta kthejnë këtë kujtim të bukur në një realitet të dobishëm për bashkatdhetarët tanë brenda dhe jashtë vendit”, shkruan Rama. (D.D/Shuplaka)