Lëvizja e fundit e presidentit amerikan Donald Trump, i vendos Shtetet e Bashkuara kundër aleates së NATO-s, Turqisë.
Trump ka autorizuar Pentagonin që të armatosë elemenët kurdë të Forcave Demokratike Siriane. Ky lajm u bë i ditur nga Zëdhënësja e Pentagonit Dana W. White, e cila tha sot se krahu kurd që përbën më shumë se gjysmën e luftëtarëve të Forcave Demokratike Siriane, (SDF) do të armatosej “sipas nevojës për të siguruar një fitore të qartë” ndaj Shtetit Islamik në Raqqa të Sirisë.
“SDF me ndihmën e mbështetjes amerikane dhe forcave të koalicionit, është e vetmja forcë në terren që mund të marrë me sukses kontrollin e Raqqas në të ardhmen e afërt”, shton zëdhënësja.
Mirëpo, shteti turk është kundër aleancës së Uashingtonit me forcat kurde të Sirisë që po luftojnë kundër Shtetit Islamik.
Ankaraja e konsideron milicinë kurde të Sirisë, pjesë të SDF-së, si një grup terrorist të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, që është shpallur e jashtëligjshme.
Lidhur me këtë qëndrim të Turqisë, zonja White deklaroi se Pentagoni i ka shumë të qarta shqetësimet e sigurisë së Turqisë dhe shton se SHBA është e angazhuar për të parandaluar rreziqe të tjera sigurie dhe për të mbrojtur aleatin e NATO-s. (D.D/Shuplaka)