Tirana nuk po kalon një sezon aspak të mirë këtë vit. Në luftën për mbijetesë në vendet e fundit ajo është edhe një nga pretendentët për fitoren e Kupës së Shqipërisë. Mirëpo për trajnerin Mirel Josa më e rëndësishme se gjithçka tjetër është qëndrimi në Superligë.
Pas fitores ndaj Korabit Josa ka folur në emisionin “Gol pas Goli”, dhe është shprehur mjaft i keqardhur që skuadra kishte 5 muaj pa fitore.
Për fitoren e sotme ndaj Korabit
“Nuk ka ardhur momenti që unë të jem i kënaqur me skuadrën edhe pse sot u fitua loja. Kemi prodhuar lojë të mirë dhe gjatë dy ndeshjeve te mëparshme ndaj Partizanit dhe Flamurtarit. Ndeshjet janë përcaktuar më së tepërmi nga momentet ose nga episodet. Episodet i shfrytëzojnë skuadrat më të mira por nuk do ti futem këtij problemi. Sot duhet të fitonim se s’bën, jo se nuk duhet të fitonim ndeshjet e tjera. Kemi ardhur në një pikë që dhe mua më vinte turp që kishte skuadra 5 muaj pa fituar. Fitorja e sotme nuk do të thotë që janë shuar të gjitha problemet që ka Tirana”.
Për ndeshjen e Kupës ndaj Skënderbeut
“Unë e kam thënë dhe më përpara mua si Mirel nuk më intereson fara kupa e Shqipërisë. Më intereson më shumë sigurimi i mbijetesës sa më shpejt. Nuk më shkon mëndja deri ne 31 maj. Pikësynimi më i madh i joni është mbijetesa”.
Për pozicionin e Tiranës në renditje
“Duam ta shohim skuadrën sa më lartë në klasifikim dhe sa me shpejt të shpëtuar”.
Për ecurinë negative në ndeshjet e mëparshme
“Asgjë nuk do kisha bërë ndryshe. Unë nuk jam bërë pishman për asgjë që kam vepruar me skuadrën. Duke filluar që nga ndeshja e Shkodrës e në vazhdim, skuadra më ka pëlqyer në momente te caktuara. Këtu do fus ndeshjen me Partizanin ndeshjen me Flamurtarin pavarësisht humbjeve. Ndeshja me Vllazninë me Teutën dhe Laçin kanë qënë ndeshje shumë të dobëta për ne”. (E.K/SHUPLAKA)