Në kishte një ngjarje të rëndësishme ditën e djeshme ishte padyshim arrestimi i Kastriot Myftarajt nga Policia e Shtetit dhe më pas lirimi i tij nga Prokuroria. Shkak për këtë arrestim ishte bërë një shkrim i tij për ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin.
Ndërkohë që ndër reagimet e shumta ishte dhe një letër e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili i kërkonte ndjesë publike ambasadores.
Ndërkohë që sot një falenderim për shkrimtarin ka pasur edhe eurokomisioneri Johanes Hahn. Ai e ka vlerësuar këtë mbështetje.
LETRA E KADARESË:
Letër e hapur nga shkrimtari Ismail Kadare, pas publikimit nga shtypi shqiptar të një artikulli që përmbante fyerje dhe kërcënime serioze me rrezik për shëndetin dhe jetën e Ambasadores së BE-së Romana Vlahutin.
E nderuara Zonjë,
Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.
Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.
Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.
E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.
Ismail Kadare (E.K/SHUPLAKA)