Presidenti i ardhshëm dhe themeluesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, në një takim me banorë të Njësisë administrative nr. 7 në kryeqytet, prezantoi dy prej kandidateve më të reja në listën e LSI-së për qarkun e Tiranës.
Kandidatet janë Rea Kotani dhe Dejana Kallogjeroviç. E para, e cila është edhe nënkryetare e LRI-së studion për ekonomi, ndërsa e dyta është kryetare e strukturës së studentëve në LRI dhe studion për gazetari.
Duke prezantuar Rean dhe Dejanën, Meta tha se ndryshimin në politikë mund ta sjellin vetëm të rinjtë. “Dikush mund të thotë pse kjo përkrahje e LSI-së për të rinjtë dhe të rejat? Sepse ka nevojë për një ndryshim të madh të politikës dhe ndryshimin mund ta bëjnë të rinjtë dhe të rejat”, ishin fjalët e Metës.
Madje sipas ish-kreut të LSI-së, dy kandidatet përbëjnë një garanci edhe për Parlamentin e ri, për shkak të eksperiencës që ato kanë në Senatin e Universitetit të Tiranës.
LSI këto zgjedhje u ka kushtuar një vëmendje dhe rëndësi mjaft të madhe të rinjve, pasi nga 36 kandidatë gjithsej për qarkun e Tiranës, 19 prej tyre janë të rinj. (D.D/Shuplaka)